Reprezentuesi kosovar nënshkruan me Rizespor

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi ka vendosur të ndryshojë mjedis, mirëpo jo edhe shtetin. Sulmuesi 23-vjeçar që luante me Gençlerbirligin në Superligën turke, ka vendosur të transferohet te skuadra e Rizespor që garon në Ligën e Parë.

Muriqi me Rizespor ka vendosur të nënshkruajë për dy vite e gjysmë, ndërsa drejtuesit e skuadrës turke besojnë se me Muriqin në sulm, mund të bëjnë ëndërrën realitet dhe të rikthehen në mesin e më të mirëve.

Sulmuesi 23-vjeçar e kishte nisur karrierën e tij te Liria e Prizrenit në Kosovë për të vijuar më pas në Superligën e Shqipërisë me Besën e Kavajës dhe Teutën, nga e cila skuadër në vitin 2014 u transferua në Turqi te skuadra e Ligës së Parë, Giresunspor. Aty Muriqi qëndroi për dy vite, duke regjistruar 69 ndeshje dhe 23 gola  të shënuar, ndërsa verën e vitit 2016-të ai bëri transferimin e tij më të madh, duke nënshkruar me ekipin e Superligës turke, Gençlerbirligi, pjesë e së cilës ishte për plotë 18 muaj e 10 ditë. Ai me Gençlerbirligin në Superligën turke regjistroi 55 ndeshje dhe 10 gola të shënuar.

Rikujtojmë Muriqi regjistron edhe 4 paraqitje me Kombëtaren U21 të Shqipërisë,

ku ka shënuar edhe një gol, ndërsa prej vitit 2016-të ai është pjesë e përfaqësueses së Kosovës, për të cilën ka regjistruar dy paraqitje.

Rizespor aktualisht renditet në pozitën e tretë në Ligën e Parë turke me 31 pikë, vetëm 3 më pak se skuadra kryesuese e Ankaraguçu, dhe dy më pak se skuadra e vendit të dytë Umranijespor. Vedat Muriqi debutimin e tij zyrtarë me fanellën e skuadrës së tij Rizespor do ta ketë me 20 janar kundër Manisaspor në transfertë.

Leave a Reply