Shkëndija nuk njeh humbje në stadiumin e Maxharit

Rrugëtimi i kuqezinjëve drejt titullit të kampionit duhet të kalojë nëpër stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari ku Shkëndija do të luajë si mysafire e Shkupit në xhiron e 20-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë.

Për liderin e renditjes tre pikët janë objektiv i vetëm që paraqet sukses dhe krahas formës e optimizmit për Shkëndijën flet edhe tradita e mirë në stadiumin ku do të luhet ndeshja, pasi kuqezinjtë kohëve të fundit kanë bilans shumë pozitiv përkundër terrenit jo aq adekuat.

Euromilku dhe Metalurgu janë ekipet që kanë pritur Shkëndijën në këtë fushë, duke u dorëzuar para djemve “kuqezi”.

Këtë traditë skuadra e Shkëndijës dëshiron ta vazhdojë edhe përballë Shkupit ambicioz, të cilin Shkëndija e ka mundur dy herë në gjysmësezonin vjeshtor, edhe atë 0:3 në ndeshjen e zhvilluar Çair dhe 4:1 në stadiumin e qytetit në Tetovë.

Megjithatë mbetet të shihet nëse sot Shkëndija do të arrijë edhe fitoren e tretë nga po aq ndeshje të zhvilluara gjatë këtij sezoni, apo ndoshta FC Shkupi do të arrijë fitoren e parë. Një gjë të tillë do të mësojmë vetëm diku rreth orës 15:50 minuta.

Leave a Reply