Liga Europa, hidhet shorti i 1/8 së finales, spikat super përballja Milan-Arsenal

Në Nion të Zvicrës para pak çastesh është hedhur shorti për ndeshjet e 1/8 së finales të Liga Europa. Goglat në këtë fazë kanë rezervuar sfida mjaft interesante, ndërsa pa dyshim se ndeshja që spikat më së shumti, është ajo mes gjigandëve italian të Milanit dhe atyre anglez të Arsenalit.

Nga ana tjetër ekipi i Strakoshës dhe Tares, Lacio do të ketë një përballje më të lehtë nga Milani, pasi ka gjetur rivalin e Dinamo Kievit, teksa Valon Berisha me Salzburgun e tij për kundërshtarë do të ketë gjermanët e Borusia Dortmundit, që mbrëmë eliminuan Atalantën e Etrit Berishës.

Spanjollët e Atletiko Madrid do të luajnë përballë Lokomotivës së Moskës, skuadra tjetër ruse e Zenitit për kundërshtarë do të ketë skuadrën gjermane të Lajpcigut, që në 1/16 e finales kishte eliminuar Napolin e Elseid Hysajt, teksa skuadra e tretë ruse e kualifikuar për këtë fazë, për kundërshtarë do të ketë skuadrën e Lionit. Një përballje mjaft interesante pritet të jetë edhe ajo midis Olimpikut të Marsejës dhe Atletik Bilbaos, teksa Sportingu i Lisbonës, te e cila skuadër luan reprezentuesi maqedonas, Ristovski, do të përballet me skuadrën çeke të Plzen.

Ndeshjet e para të 1/8-ave të finales në program janë me datë 8 mars, teksa ato të kthimit një javë më pas.

LIGA EUROPA
Ndeshjet e para të 1/8 së finales:
Lacio-Dinamo Kievi
Lajpcigu-Zenito
Atletiko Madridi-Lokomotiva e Moskës
CSKA Moska-Lioni
Marseja-Atletik Bilbao
Sportingu-Plzeni
Dortmundi-Salzburgu
Milani-Arsenali

Leave a Reply