Florent Osmani vendos derbin e Perëndimit në Ligën e Dytë

Florent Osmani ka rezultuar deçiziv në fitoren e Gostivarit në derbi ndeshjen e javës së 15-të, me të cilën edhe zyrtarisht startoi sezoni pranveror në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”. Sulmuesi shkupjan shënoi golin e vetëm në fitoren 0:1 ndaj Vëllazërimit në Kërçovë, duke zbritur në këtë mënyrë skuadrën kërçovare nga piedestali.

Pas pjesës së parë pa gola, Osmani gjeti golin në pjesën e dytë, duke sjellë gëzim të madh në mesin e futbollistëve mysafir, të cilët stinorin pranveror e nisën në mënyrën më të mirë.

Me këtë fitore Gostivari i rimer kreun skuadrës së Vëllazërimit, dhe njëherit i hakmerret për disfatën në ndeshjen e parë të zhvilluar në Gostivari, kur kërçovarët kishin shënuar fitore me rezultatin 1:2, transmeton “infOSport.mk”.

Gostivari tashmë me 28 pikë kryeson i vetëm renditjen në Ligën e Dytë – Perëndim, duke lënë pas vetes Vëllazërimin me 25 pikë, teksa pozitën e tretë me 24 pikë mban Struga Trim Lum. Këta të fundit me fitore eventuale në ndeshjen e nesërme ndaj Lokomotivës në Shkup, kanë gjasa që të zbresin edhe më poshtë Vëllazërimin, që rikuperimin e pikëve nga ndeshja e sotme do të duhet ta kërkojë në fundjavë në ndeshjen ndaj Novacit.

Leave a Reply