Goli dhe rastet më të mira nga ndeshja, Shkëndija – Sileksi (VIDEO)

Shkëndija ka shënuar fitore minimale 1:0 në duelin e javës së 24-të kundër Sileksit në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

“Kuqezinjtë” nga Tetova zhvilluan ndeshje të matur, duke vënë kësaj rradhe në plan të parë rezultatin para lojës. Epërsia e hershme me golin e bukur dhe debutues të Fazllagiçit mndësoi që ekipi të menaxhojë lojën dhe rezultatin pa rrezikuar shumë. Me mungesa të rëndësishme (Hasani dhe Zejnullai të lënduar, Alimi dhe Cuculi të pezulluar me nga 5 kartona të verdhë), trajneri Osmani ishte i detyruar të bëjë ndryshime në formacion me Vakilin si titullar dhe të rinjtë Totre e Fazllagiç për herë të parë bashkë në qendër të mesfushës, ndërsa në vend të vendosjes 3-4-1-2 ndeshjen e sotme e nisi me skemën 4-2-3-1.

Shkëndija e nisi mirë ndeshjen dhe pas dy kanosjeve të miqve dhe një të Ibraimit, ekuilibrat i prishi 17-të vjeçari Enis Fazllagiç me një super gol, që njëherit ishte edhe i pari me ekipin e parë të Shkëndijës.

 

Pasoi në vazhdim lojë e qetë me kontroll të “kuqezinjëve”, ndërsa Sileksi tentonte me goditje nga distanca, prej të cilave vetëm Antonio Zhunior në minutën e 39-të gjeti kuadratin, por Zahov ishte syçelë.

Në pjesën e dytë trajneri Osmani duhej të zëvendësojë Vakilin e dëmtuar, ndërsa në krahun e majtë të mbrojtjes u inkuadrua Murati.

Shkëndija e kënaqur me epërsinë menaxhonte lojën, ndërsa rastet më të mira për të shënuar i kishte  Sileksi, mirëpo me disa pritje vendimtare u shfaq portieri Zahov, që ruajti të paprekur rrjetën e tij.

Në fund Shkëndija me meritë morri tre pikë të reja, duke e mundur Sileksin edhe në përballjen e tretë të këtij sezoni, ndërsa për më tepër “kuqezinjtë” shkojnë në në pauzën dy javore me 16-të pikë epërsi ndaj skuadrës së vendit të dytë, Vardari. Shkëndija ka tubuar 62 pikë, teksa kundërshtari i tyre, Sileksi edhe përkundër kësaj disfate mbetet në pozitën e tretë me 36 pikë.

Leave a Reply