Salah bojkoton Botërorin? Konflikt me sponsorin dhe Federatën e Egjiptit!

Mohamed Salah është padyshim lojtari i momentit. Ai cilësohet si zbulimi i këtij sezoni dhe kandidati kryesor për të hyrë në garën ndërmjet Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, që kanë dominuar futbollin ndërkombëtar në dekadën e fundit. Popullariteti i Salah u rrit aq shumë, sa në javët e fundit ka nxitur një çështje, që mund të vendosë në diskutim edhe prezencën e lojtarit në Kupën e Botës.

Shkak është bërë sponsori dhe Salah është pala e dëmtuar. Sulmuesi është imazhi i një kompanie telefonike në të gjithë Lindjen e Mesme, ndërsa përfaqësuesja egjiptiane sponsorizohet nga një kompani rivale. Këtu lindi edhe konflikti, sepse Federata e Egjiptit e shfrytëzoi imazhin e lojtarit më të mirë të vendit në disa reklama. Gjithçka duket se ka ndodhur pa arritur asnjë marrëveshje.

Pasi Federata e Egjiptit, por edhe Ministria e Sporteve nuk kanë reaguar rreth situatës së krijuar, menaxheri i Salah kërcënoi se “po shqyrtohen të gjitha opsionet”, duke përfshirë këtu edhe bojkotin e Botërorit. Futbollisti gëzon edhe mbështetjen e popullit. Tifozët egjiptianë nuk pranojnë të humbasin lojtarin e tyre më të mirë për një çështje të tillë.

Leave a Reply