Emrat e mundshëm që do të zëvendësojnë Zidane te Reali

Vetëm disa minuta pasi Zinedin Zidan njoftoi largimin e tij befasues nga Reali i Madridit, menjëherë kanë filluar edhe spekullimet lidhur me emrin e trajnerit të ardhshëm, i cili do të zëvendësonte francezin në postin e trajnerit te skuadra “mbretërore”, transmeton “infOSport.mk”.

Sipas asaj që shkruan “Marca”, favoriti kryesor për të zëvendësuar Zidane, është trajneri i Totenhamit, Maurisio Poçetino. Argjentinasi para pak kohësh vazhdoi kontratën me skuadrën londineze, mirëpo sipas të përditshmes spanjolle, Poçetino një gjë të tillë e kishte bërë me kusht, që nëse i vjen ndonjë ofertë pikërisht nga Reali i Madridit, Daniel Levi ta lëshon pa asnjë problem.

Sipas disa burimeve tjera në kontratën e re të Poçetinos ka një klauzolë lirimi, e cila nuk është edhe aq e lartë, sidomos kur në pyetje është Florentino Perez dhe një klub si Reali.

Ndërkohë sipas mediave në Angli një tjetër favorit për të marrë drejtimin e Realit, është edhe Arsen Venger, i cili pas përfundimit të sezonit në Angli braktisi Arsenalin pas plotë 22 viteve.

Emra të tjerë që lidhen me ekipin “mbretëror” janë edhe ish futbollisti i Realit, Guti, që aktualisht drejton ekipin U19, pastaj trajneri i Liverpullit, Jurgen Klop, seleksionuesi i  Gjermanisë, Joakim Lëv, si dhe Antonio Konte, i cili është më se e sigurtë se do të largohet nga Çelzi.

Leave a Reply