Flamurtari insiston për Armend Alimin

Armend Alimi nuk po vazhdon kontratën me Shkëndijën e Tetovës, ndërsa e gjithë kjo ka bërë që skuadra e Flamurtarit nga Superliga e Shqipërisë të insistojë në transferimin e tij drejt Vlorës.

“InfOSport.mk” që ditë më parë ka njoftuar për interesimin e vlonjatëve për 30-vjeçarin kumanovar, fitues i Kupës dhe kampionatit me Shkëndijën këtë vit në Maqedoni. Por tashmë duket se ky interesim është rritur ndjeshëm, sidomos pas largimit të Muarem Muarem drejt FC Shkupit.

Afrimi i Alimit konsiderohet padyshim mjaft i rëndësishëm tek Flamurtari, drejtuesit e së cilës skuadër tek ai shohin si një organizator të lojës së tyre.

Mësohet se lojtarit i ka mbërritur oferta e parë nga ana e skuadrës vlonjate, por aktualisht nuk ka ende një firmë në kontratë.

Në ditët në vijim pritet të mësohet më shumë në lidhje me tratativat e Flamurtarit me Alimin, i cili sezonin e fundit me Shkëndijën në 33 ndeshje, realizoi 7 gola.

Armend Alimi te Shkëndija erdhi verën e vitit 2014-të nga rradhet e skuadrës qipriote të Ermis, ndërsa brenda periudhës 4-vjeçare të kaluar në Tetovë, ai me fanellën “kuqezi” regjistroi 138 ndeshje, duke realizuar edhe 26 gola.

Leave a Reply