Ndeshja e Dritës kundër Santa Kolomas shkroi historinë e futbollit botëror

Ndeshja e parë e Dritës së Gjilanit në Kupat Europiane, më saktësisht në Ligën e Kampioneve ka hyrë në historinë e futbollit botëror. Kampionët e Kosovës gjatë ditës së djeshme zhvilluan ndeshjen e parë preliminare kundër skuadrës së Santa Koloma nga Andorra, që doli të jetë historike për një episod mjaft të veçantë që ndodhi gjatë ndeshjes.

Duke pasur parasysh se ndeshja shkoi në kohën shtesë dy herë nga 15 minuta për shkak rezultatit të barabartë 0:0 në 90-të minuta lojë, në minutën e 106 të ndeshjes që në fund me rezultatin 2:0 i takoi skuadrës kosovare, skuadra e Santa Kolomas hodhi në fushë Sedrik Faur, në vend të Lorenzo Buron.

Ky nuk ishte një zëvendësim si të gjithë të tjerët, pasi për herë të parë, në një aktivitet si Liga e Kampionëve, u përdor zëvendësimi i katërt.

UEFA ka aprovuar ndryshimet në rregullore të cilat saktësojnë se në ndeshjet e me eliminim direkt, skuadrat lejohen të bëjnë zëvendësimin e katërt në kohën shtesë të takimit. Santa Koloma, e cila kishte kryer më parë tre zëvendësime, kësisoj kreu të katërtin duke vënë në zbatim këtë risi në rregulloren e aktivitetit duke filluar nga edicioni aktual.

Leave a Reply