Kukësi në Ligën e Kampionëve, Nexhipi tregon emocionet e kualifikimit

Kukësi ka arritur të marrë një kualifikim historik për në turin e dytë të Ligës së Kampionëve, duke barazuar 1:1 ndaj Valetës në transfertë. Pavarësisht se verilindorët nuk kanë qenë në nivelin e duhur, sërish kanë arritur të reagojnë edhe pse kishin pësuar gol.

Fakti që Kukësi nuk ishte në nivelin që pritej, është pranuar edhe nga vetë drejtori sportiv i verilindorëve, Nderim Nexhipi. Në një prononcim për “VIP Sport”, Nexhipi është shprehur se kjo fitore e ka emocionuar jashtë mase, duke parë edhe rrjedhën e ndeshjes, pasi kualifikimi erdhi në minutat e fundit.

“Nuk kam fjalë që të përshkruaj emocionet pas këtij kualifikimi. Është diçka shumë e veçantë, duke qenë se kualifikimi erdhi vetëm në minutat e fundit. Megjithëse nuk arritëm të bënim lojën që donim, më vjen mirë që u kualifikuam pasi do të kemi më shumë mundësi për t’u përmirësuar në turin e dytë.

Kjo fitore i dedikohet tifozëve të cilët i ftoj të na mbështesin në takimin e radhës, pasi për ne ata janë një shtysë dhe një motivim i madh dhe gjithashtu kjo fitore i dedikohet presidentit Gjici.

Kundërshtari i ardhshëm? Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse do të jetë Olimpija e Lubjanës apo Karabaku, duke qenë se me të dy kundërshtarët, duhet të japim maksimumin. Do të doja vetëm që ndeshja e parë të luhej jashtë dhe e kthimit në Shqipëri, por megjithatë ne do të bëjmë më të mirën.

Duke ditur se edhe lojtarët me trajnerin do të kenë mundësi të njihen më mirë ditët e ardhshme, kam besim se në turin e dytë do të jemi një nivel më i lartë”, u shpreh Nexhipi.

Leave a Reply