Alban Meha rikthehet në Gjermani

Alban Meha është rikthyer aty ku edhe fitoi famën. Futbollisti me origjinë kosovare ka vendosur të kthehet në futbollin gjerman, duke nënshkruar kontratë me skuadrën e ligës së katërt, Elversberg.

Meha me ish skuadrën e Edmond Kapllanit ka nënshkruar kontratë një vjeçare, me shpresë se do të rikthehet në formën e tij të vjetër, ku spikaste me goditjet e tij bombastike nga gjuajtjet e lira.

“Javën e kaluar kisha mundësinë të njihja klubin dhe skuadrën për një kohë të shkurtër. Shihej menjëherë motivimi i lartë për të luftuar dhe dëshira për sukses, por pres me padurim të zbres në fushë”, ishin fjalët e Mehës pas prezantimit.

Alban Meha së fundmi ishte pjesë e skuadrës jordaneze të Al Faisaly, ndërsa gjithashtu për dy vite luajti në Turqi me skuadrën e Konjaspor. Rikujtojmë 32-vjeçari Meha, ishte ndër futbollistët që zgjodhën të largoheshin nga Kombëtarja shqiptare, për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës, por nuk kishte shumë fat edhe atje, pasi luajti vetëm 2 ndeshje pasi të zhdukej nga listat e grumbullimeve të përfaqësueses kosovare.

Leave a Reply