Feronikeli shkarkon trajnerin Sulejman Starova

U përfol gjatë mbrëmjes të së dielës, por pasditen e së hënës ka ardhur dhe zyrtarizimi nga skuadra e Feronikelit. Sulejman Starova u shkarkua nga drejtimi i skuadrës kosovare. Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, klubi ka njoftuar prishjen e marrëveshjes me “bobin”. Ky i fundit u largua për shkak të rezultateve të dobëta, siç është dhe argumenti i kryesisë së klubit.

Ish-trajneri i Partizanit u kthye në “mbretin” e barazimeve në kampionatin kosovar të futbollit, por i çuditshëm është fakti se numri një i stolit u shkarkua pas fitores me Ballkanin me rezultatin 1-0. Atëherë kur nuk pritej largimi, klubi vendosi të ndante rrugët me teknikun Starova. Të çuditshëm.

Në fakt, takimi ndërmjet Feronikelit dhe Ballkanit mund të mbetet në “histori”, pasi u shkarkuan të dy trajnerët. Humbja bëri që tekniku i Ballkanit, Bekim Shotani, të shkarkohej. Klubet kosovare nuk kanë shumë qëndrueshmëri te trajnerët, ata ndryshojnë nga 2-3 trajnerë gjatë sezonit duke u kthyer praktikisht në amatorë.

 

Leave a Reply