“Të gjithë për Fadil Vokrrin”

Kosova arriti një fitore të bukur përballë Ishujve Faroe me rezultatin 2-0 në ndeshjen e parë në stadiumin e ri të Prishtinës “Fadil Vokrri”. Fitorja e parë zyrtare në histori dhe Kosova renditet e para në grupin e saj të Nations League me katër pikë mbas dy ndeshjeve të para. Zeneli dhe Nuhiu ishin autorët e golave dhe fitorja ishte dedikimi më i bukur për ish-presidentin e ndjerë të Federatës Kosovare të Futbollit, i cili humbi jetën në muajin qershor.

Një atmosferë e shkëlqyer dhe elektrizuese në stadium, me tifozët që i kushtuan një koreografi fantastike heroit dhe idhullit të tyre Fadil Vokrrit, dhe festa shpërtheu në eurogolin e Arbër Zenelit në pjesën e dytë të ndeshjes. Nuhiu vulosi fitoren dhe të gjithë përjetuan emocione të mëdha gjatë ndeshjes. Krenar do të jetë dhe Fadil Vokrri nga lart, i cili, përveçse një nga futbollistët më të talentuar shqiptarë të të gjitha kohërave, ishte personi që punoi fort për rritjen e futbollit të Kosovës dhe luftoi për të drejtat e saj.

Për t’u rikthyer te ndeshja, nëse do të ishte një film, do të titullohej: “Të gjithë njerëzit për presidentin”. “Aktorët” janë shumë dhe të ndryshëm. Zeneli, Nuhiu, Avdijaj, Kryeziu, Ujkani, Rashica dhe trajneri zviceran, Bernard Shaland. Por, jo vetëm. Histori njerëzish, jete dhe lufte. Ashtu si vetë historia e shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë meritojnë duartrokitje.

Trajneri ishte një zgjidhje e Vokrrit. Ëndrra e 67-vjeçarit ka qenë gjithmonë drejtimi i Zvicrës, “Në vitin 2008 isha një nga kandidatët për stolin e kombëtares, por nuk mund të konkurroja me një emër si Otmar Hitcfeld”, tregon Shaland. Më vonë drejtoi Armeninë, ndërsa pastaj erdhi oferta për të drejtuar Kosovën. Trajneri shpjegon arsyet se pse pranoi ofertën e Vokrrit.

“Pranova, sepse i dashuroj sfidat. Nuk e bëra për para, por u shtyva nga instinkti im. Gjithashtu dhe nga gruaja ime, e cila më qëndron gjithmonë pranë. Nëse ajo do të ishte kundër kësaj eksperience, nuk do të pranoja të drejtoja Kosovën”, zbulon trajneri zviceran. Femrat fitojnë gjithmonë, por fatmirësisht gruaja e Shaland ishte e entuziazmuar nga kjo mundësi.

Trajneri po punon për rritjen dhe harmonizimin e një grupi të mbushur me talente, të cilët kanë dëshirë dhe guxim për të arritur gjëra të mëdha. Kosova po përjeton një periudhë të mirë dhe në pesë ndeshjet e vitit 2018, Shaland dhe djemtë e tij nuk kanë pësuar asnjë humbje, madje kanë mbajtur dhe portën të paprekur.

“Lojtarët e mi preferojnë të sulmojnë, por unë u përpoqa t’iu shpjegoja që kjo nuk ishte mënyra e duhur për të shfrytëzuar gjithë potencialin e tyre”, tregon trajneri, i cili punoi fort me pjesën difensive dhe rezultat po i japin të drejtë. Porta është e paprekur dhe ekipi po rritet përditë e më shumë. Lojtarët luajnë në Gjermani, Holandë, Austri, Norvegji dhe nëpër Europë. Disa vendosin të zgjedhin Shqipërinë, por Shaland e kalon me një buzëqeshje: “Çdo herë është një grindje e madhe”.

Për të kaluar te lojtarët, Rashica është një nga yjet e ekipit. Ai luan në Bundesligë me Verder Bremenin. Kur ishte pjesë e Viteshesh në Holandë dhe luajti në Europa League, Igli Tare u magjeps me cilësitë e 22-vjeçarit dhe ishte pranë marrjes së tij te Lacio. Anësor i shpejtë dhe i aftë të dhurojë asiste për shokët e skuadrës. Luante me Shqipërinë, por vendosi të kalonte te Kosova “për zgjedhje zemre”, siç e shpjegonte vendimin e tij. Ai ka lindur në Vushtrri në të njëjtin qytet me Samir Ujkanin, i cili është lojtari me më shumë ndeshje me Kosovën.

Me një eksperiencë të madhe në futbollin italian (Palermo, Kremoneze, Piza), 30-vjeçari është i lidhur fort me vendin e tij. Përballë Ishujve Faroe, ai priti dhe për të vdekurit, të cilët është detyruar t’i qajë. “Isha gjashtë vjeç kur u largova nga Kosova për t’u vendosur në Belgjikë. Çdo dy muaj na vinte një letër dhe ne merrnim vesh se kush kishte vdekur dhe kush kishte shpëtuar. Kam humbur fqinjë, familjarë, miq dhe kam parë ferrin me sy”, kujton gardiani i Kosovës.

Por, nuk mbaron me kaq. Dionis Avdijaj është një sulmues profesionist, 22 vjeç, dhe paksa i “zjarrtë”. Ai dhe familja e tij emigruan drejt Shalkes së Gjermanisë. Avdijaj është aktivizuar me kombëtaret e moshave të Gjermanisë, por në fund vendosi të zgjedhë Kosovën për shkak të prindërve të tij. Ai ka rilindur në Holandë me ekipin e Uilem II dhe po kalon një formë të mirë. Ka dhe emra të tjerë si Valon Berisha, i cili u transferua te Lacio këtë verë.

Berisha zhvilloi një sezon fantastik me Salsburgun dhe ishte pranë arritjes në finalen e Europa League me ekipin austriak. Tare veproi shpejt duke e afruar te Lacio, ndërsa lojtari po rikuperohet nga një dëmtim i pësuar. Vedat Muriqi luan me Rizesporin dhe është një pykë klasike e sulmit, ndërsa Hekuran Kryeziu, i cili luan me Zyrihun, është një tjetër pikë e fortë e Kosovës, që fitoi “duelin” me Zvicrën për shërbimet e mesfushorit 25-vjeçar.

Për ta mbyllur me dy golashënuesit. Arbër Zeneli luan me Herenvenin dhe po bën mirë në Holandë. Ai fitoi Europianin U21 me Suedinë në vitin 2015, ndërsa zgjodhi Kosovën para dy vitesh. Një vendim i tillë nuk u prit mirë në vendin nordik dhe kundrejt zgjedhjes së Zenelit shpërthyen kritika dhe ofendime.

Lojtari reagoi me anë të një postimi në rrjetet sociale ku shkruante: “Më urreni, më doni, bëni çfarë të doni. Ishte si një rrufe në qiell të hapur, por unë duhet të pranoja. Unë do të vazhdoj të jem gjithmonë Zeneli që njihni.” Arbër Zeneli është një nga lojtarët shqiptarë më të fortë dhe më të mirë. Teknikë e pastër, asiste dhe sens goli. Kosova është me fat që ka në përbërje një lojtar si 23-vjeçari i Herenvenit, i cili ka një të ardhme të shkëlqyer përpara.

Përpara gjendet dhe Atdhe Nuhiu, i cili luan me anglezët e Shefilld Uendsdej prej vitit 2013. “Gjigandi” 1.96 metra i gjatë thërritet “Big Dave” nga shokët e skuadrës. Atij nuk i pëlqen, por tashmë është mësuar, edhe pse në Angli nuk mësuan kurrë t’ia shqiptojnë saktë emrin e tij. Megjithatë, Nuhiu ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë, është gati për të luftuar dhe dhënë maksimumin për Kosovën dhe për të vazhduar t’iu dhurojnë emocione tifozëve shqiptarë nëpër botë.

Marrë nga Gianlucadimarzio.com 

Leave a Reply