Prishtina gati për bashkëpunim me gjigandët turq të Beshiktashit

Gjatë ditës së djeshme numri një i Prishtinës, Remzi Ejupi kishte udhëtuar drejt Stambollit, për një takim pune me presidentin e skuadrës së njohur turke të Beshiktashit, Fikret Orman.

Ky takim, përkon me fillimin e një bashkëpunimi mes klubit “bardhekaltër” nga Prishtina dhe “Shqiponjave të zeza” nga Stambolli. Përveç takimit me Fikret Orman, Ejupi u takua edhe me ish-futbollistin e njohur të “shqiponjave”, Sead Halilagiç, i cili njëherit ishte edhe nismëtar i këtij bashkëpunimi.

Lajmi u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e Prishtinës, të cilët shpresojnë në një bashkëpunim të ndërsjellë, nga i cili skuadra e njohur kosovare do të përfitonte edhe ndonjë futbollistë në huazim, me qëllim arritjen e objektivave, që gjithnjë janë të larta.

“Me ftesë të presidentit të Beshiktashit, Fikret Orman, kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi sot është mysafir i gjigantit të futbollit turk. Vizita me ftesë e Ejupit në klubin e famshëm turk ka të bëjë me fillimin e një bashkëpunimi të thelluar në mes Beshiktashit dhe FC Prishtinës, për çka Ejupi paradite takoi drejtues të lartë të “bardhezinjve”, përfshirë edhe ish futbollistin e njohur të Beshiktashit nga Novi Pazari, Sead Halilagiç, i cili tani mban post të lartë në këtë klub si koordinator i Akademisë, ku edhe është pikënisja e bashkëpunimit mes dy klubeve”, shkruhej në njoftimin e klubit nga kryeqendra kosovare.

Leave a Reply