Ismaili: Besojmë fuqishëm te 3 pikët e reja

Gostivari – Labunishta, pa dyshim se është derbi ndeshja e javës së 9-të në Ligën e Dytë – Perëndim. Bëhet fjalë për dy skuadra mirë të përgatitura, që në 8 javët e para kanë grumbulluar nga 15 pikë, duke qenë në ndjekje të liderit aktual Struga Trim Lum. Një fitore eventuale e njërës prej skuadrave do të shihte atë në krye të renditjes për së paku 24 orë, duke pasur parasysh se Struga Trim Lum ndeshjen e saj të kësaj jave e zhvillon të dielën në shtëpi kundër Genç Kalemler.

Gostivari me trajnerin e ri Erxhan Menga në krye po frymon më ndryshe, ndërsa kjo skuadër ishte mjaft bindëse në ndeshjen e fundit ndaj Vëllazërimit në Kërçovë. Përveç fitores 2:0, kjo skuadër bindi edhe me lojë, duke harruar shumë shpejtë disfatën e fundit kampionale ndaj Pelisterit në Manastir, ndaj së cilës skuadër kishte shënuar shkupjani, Fatih Ismaili.

Dëshira e tij është që një gjë të tillë të bëjë edhe sot, mirëpo primare për të dhe skuadrën e Gostivarit është që të marrin 3 pikët e plota.

‘Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, mirëpo ne do të futemi në të për të marrë 3 pikët e plota. Kundërshtarë të lehtë nuk ka, ashtu që nëse dëshirojmë të marrim më të mirën nga kjo ndeshje, do të duhet që të sulmojmë nga minuta  e parë. Besoj se me një lojë agresive në sulm dhe përkushtim maksimal të të gjithë futbollistëve, reuzltati nuk do të mungojë’ – tha enkas për ‘infOSport.mk’, Fatih Ismaili, i cili në formë huazimi nga rradhët e FC Shkupit po luan te Gostivari. Ndeshja midis Gostivarit dhe Labunishtës, dy skuadrave që ndajnë pozitën e dytë në renditje starton në ora 14:30.

Leave a Reply