Toronto nuk ndalet, Lejkersi nuk din të fitojë

Toronto ka vazhduar efektin e qindtpërqindtë këtë fillim sezoni në NBA, duke realizuar edhe fitoren e katërt nga po aq ndeshje, njofton ‘infOSport.mk’.

Reptorsat në ndeshjen e mëngjesit të së martës mundën Sharlotin me rezultatin127:106, duke konfirmuar formën e mirë në të cilën ndodhen.

Një ndeshje e mirë e Leonard, autor i 22 pikëve, ndërkohë që 54 pikë u realizuan nga lojtarët që e nisën takimin nga stoli.

Për dallim nga Toronto që nuk dinë për disfatë, në anën tjetër skuadra e Los Anxheles Lejkers ende nuk po arrinë të marrë fitoren e parë këtë edicion. ‘Lejkersat’ pësuan edhe disfatën e tretë me rradhë, ndërsa këtë herë u dorëzuan përballë San Antonio Spërs, edhe atë vetëm pas vazhdimeve, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me barazimin 128:128.

Në vazhdime në një ndeshje spektakolare dhe emocionuese deri në fund, ‘spërsat’ shënuan fitore me rezultatin 143:142. LeBron Xhejms ndeshjen e mbylli me 32 pikë, 14 asistime dhe 8 kërcime, ndërsa më shumë se ai te ‘lejkersat’ shënoi Kuzma, që regjistroi plotë 37 pikë. Në anën tjetër te ‘spërsat’ u dalluan Olldrixh me 37 pikë dhe DeRozan me 32 pikë e 14 asistime.

Humbet ekipi i Boston, që u mund 93:90 nga Orlando, ndeshje kjo e komanduar nga miqtë, që në fund rrezikuan shumë. Të gjithë titullarët e Orlando Mexhik realizuan mbi 10 pikë, me Vuçeviç që ishte koshashënuesi më i mirë me 24 pikë e 12 kërcime, duke i bërë të pavlefshme 22 pikët e Irving për ‘selltiksat’.

Rikthehet te fitorja edhe ekipi kampion i Golden Stejt, që mundi Feniksin me rezultatin 123:103. ‘Uariorsat’ e dominuan këtë ndeshje, ndërsa edhe njëherë tjetër me lojë të mirë u dallua dyshja Keri – Durant, që realizuan 29, gjegjësisht 22 pikë.

Fiton edhe Dallas, që mundi 115:109 Çikagon, sfidë ku u dallua Matjus me 20 pikë, Milluoki mundi Nju Jorkun 124:113, Minesota ishte më e mirë se Indiana 101:91, Memfisin në transfertë mundi Juta Xhazin 92:84, teksa Uashington pas kohës shtesë mundi Portlandin me rezultatin e ngushtë 125:124.

NBA – Rezultatet e sotme
Boston – Orlando, 90-93
Toronto – Charlotte, 127-106
Milwaukee – New York, 124-113
Minnesota – Indiana, 101-91
Dallas – Chicago, 115-109
Utah Jazz – Memphis, 84-92
Portland – Washington, 124-125
Golden State – Phoenix, 123-103
Lakers – San Antonio, 142-143

Leave a Reply