Liga Europa – Milani, Arsenali dhe Çelzi kërkojnë kualifikimin

Liga Europa sonte vjen me ndeshjet e raundit të tretë në grupe. Në ora 18:55 luhen takimet e para dhe më interesante.

Me plagët e derbit të Madoninës ende të pashëruara, Milani në “San Siro” do të presë Betisin, me synimin për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit.

‘Kuqezinjtë’ e Gatuzos kanë grumbulluar pikë të plota në dy ndeshjet e para dhe nëse fitojnë edhe me ‘anadaluzianët’, atëherë do ta çonin të paktën në 5 pikë diferencën me vendin e dytë. Po në këtë grup luhet edhe ndeshja midis skuadrës së Dudelanzhit nga Luksemburgu dhe Olimpijakosit grek.

Një tjetër ndeshje emocionuese do të zhvillohet në Lisbonë mes Sportingut dhe Arsenalit, dy ekipet favorite për të vijuar më tej në grupin E. Këtë e tregon edhe fakti që të dyja skuadrat kanë marrë fitore në dy ndeshjet e para, kështu që edhe një barazim mund të konsiderohet rezultat pozitiv në këtë përballje të parë direkte. Interesante pritet të jetë edhe  ndeshja tjetër e grupit, ajo midis Karabagut të Ansi Agollit dhe Vorskla Poltavas të Ardin Dallkut.

Në orën 21:00 spikat takimi në “Velodrom”, ku mejdanin do të ndajnë Olimpiku i Marsejës dhe Lacio. Do të jetë kjo një sfidë shumë e “nxehtë”, për faktin se luftohet për vendin e dytë, pasi Ajntrahti i Frankfurtit, që pret Apollonin, duket se është në rrugë të pakthyeshme për vendin e parë në grup.

Tjetër sfidë e lehtë në letër për Çelzin, që në “Stemford Brixh” pret Bate Borisov,  ndërsa PAOK-u ka përballë ekipin e MOL Vidi nga Hungaria.

Gllazgou Renxhersi i Eros Grezdës do të ketë përballë Spartakun e Moskës, që ka ndoshta shansin e fundit për të mbetur në lojë. Në këtë takim mund të ketë minuta në fushë edhe për reprezentuesin shqiptarë, i cili e ka kaluar dëmtimin dhe është i gatshëm të ndihmoj skuadrën. Në sfidën tjetër të këtij grupi Viljareali në ‘El Madrigal’ pret Rapidin e Vjenës.

Një ndeshje me shumë paqartësi pritet të jetë edhe ajo në Stamboll, midis Beshiktashit dhe Genkutr në kuadër të grupit I. Në këtë grup, ku ka ekulibër të plotë, pasi të gjitha skuadrat kanë grumbulluar nga tri pikë, luhet edhe Sarpsborg 08 – Malmo.

Në grupin J, Sevilja në ‘Ramon Sançez Pizhuan’ me petkun e favoritit do të mirëpret turqit e Akhisar, aty ku edhe belgët e Standard Liezh do të luajnë ndeshjen ndaj rusëve të Krasnodar, ndërkohë në grupin K, dy ndeshjet e ditës së sotme janë, Jablonec – Astana dhe Ren – Dinamo Kiev.

Leave a Reply