Dy derbit e mbrëmjes në tokën italiane mbyllen me barazime, Atl.Madridi i hakmerret Dortmundit

Dy ndeshjet derbi të mbrëmjes së sotme që u zhvilluan në tokën italiane, Inter – Barcelona dhe Napoli – PSZH u mbyllën me barazime identike 1:1, njofton ‘infOSport.mk’.  Në ndeshjen e grupit ‘B’ të zhvilluar në ‘Xhuzepe Meaca’ të dy golat erdhën në pjesën e dytë, me Barcelonën që avansoi e para falë golit të rezervistit Malkom në minutën e 83-të, ndërsa 3 minuta para fundit të takimit, i përhershmi Ikardi shënoi golin e barazimit.

Në ‘San Paolo’, Paris Sen Zhermeni në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë përmes Bernat kaloi në epërsi ndaj Napolit, skuadër kjo që deri te barazimi erdhi në minutën e 63-të me anë të Insinjes.

Atletiko Madridi iu hakmorrë Borusia Dortmundit për disfatën e para dy javëve, duke shënuar fitore 2:0 në ‘Vanda Metropolitano’. Saul shënoi gjatë pjesës së parë (33’), teksa golin e nokautit ‘milionerëve’ ua shënoi francezi Antuan Grizman.

Në dy ndeshjet e grupit ‘D’ ishin skuadrat vendase ata që triumfuan në fund, me Porton që sërish shënoi fitore ndaj Lokomotivës së Moskës, kësaj rradhe me rezultatin 4:1, ndërkohë Shalke 04 në ‘Gelzenkirshen’ me golat e shënuar nga Burgstaler (4’) dhe Uth (57’) me rezultatin 2:0 mundi Galatasarajin.

Ndeshja me interesante e mbrëmjes u zhvillua në ‘Uembli’, aty ku Totenhami me përmbysje mundi PSV Ajndhovenin. Holandezët shtangën vendasit që në minutën e dytë me golin e realizuar nga De Jong, teksa ‘spërsat’ deri te fitorja erdhën vetëm në 12 minutat e fundit të takimit, kur në skenë doli super sulmuesi i tyre Hari Kejn me golat e shënuar në minutat 78-të dhe 89-të.

Leave a Reply