Finalet e Ligës së Kombeve, detajet mbi formatin dhe përfitimet e kombëtareve finaliste

Me përfundimin e ndeshjes së mbrëmshme midis Gjermanisë dhe Holandës, që përfundoi me rezultatin e barabartë 2:2, është qartësuar përfundimisht kuadri në Ligën A, prej ku 4 kombëtaret fituese të çdo grupi do të përballen në qershor të vitit 2019-të, për të luajtur finalet e turneut. Nikoqiri Portugalia si dhe  Anglia, Zvicra dhe Holanda do të luftojnë për trofeun e parë të Ligës së Kombeve.

FORMATI

Katër kombëtaret që fituan 4 grupet e Ligës A do të përballen me sistem eliminimi në Portugali qershorin e ardhshëm. Fituesit e gjysmëfinaleve do të ndeshen në finalen e madhe. Shorti do të hidhet në Dublin, më 3 dhjetor.

5 qershor: Gjysmëfinalja e parë

6 qershor: Gjysmëfinalja e dytë

9 qershor: Ndeshja për vendin e tretë

9 qershor: Finalja

VENDI NIKOQIR

Tre vende, Italia, Polonia dhe Portugalia, shfaqën interesim për të pritur fazën finale të Ligës së Kombeve.

Duke qenë të gjitha në grupin 3, fituesi i këtij grupi do të organizonte fazën finale. Portugalia si stadiume mikpritëse ka propozuar ‘Estádio do Dragão’ të Portos dhe ‘Estádio D. Afonso Henriques’ në Guimaraesh si stadiumet e finaleve.

PËRFITIMET

Kombëtarja fituese do të marrë trofeun prej argjendi, 71 centimetra i lartë, ndërkohë sa i përket anës financiare, fituesi i këtij trofeu do të përfitojë 7.5 milion euro, kombëtarja finaliste 6.5 milion euro, vendi i tretë 5.5 milion euro, teksa vendi i katërt do të përfitojë një shumë prej 4.5 milion euro.

Leave a Reply