Shkëndija mund Vardarin, FC Shkupi dhe Renova shpëtojnë fare në fund (VIDEO)

Sot edhe zyrtarisht është hapur stinori pranveror në elitën e futbollit vendor, ku që në start ishim dëshmitarë të debrit të madh midis Shkëndijës dhe Vardarit, e ku fitores iu gëzua skuadra vendase, njofton ‘infOSport.mk’.

Shkëndijës në këtë ndeshje i mjaftoi goli i shkupjanit, Omar Imeri në minutën e 23-të për të arritur deri tek tre pikëshi dhe për të thelluar diferencën në pikë ndaj rivalit kryesor, Vardarit.

Për dallim nga Shkëndija që dominonte ndaj Vardarit, FC Shkupi dhe Renova vetëm në minutat e fundit të takimit i shpëtuan disfatës në udhëtim te Sileksi në Kratovë, gjegjësisht te Rabotniçki në Shkup.

Skuadra nga Çairi edhe pse gjatë pjesës së parë ishte në disavantazh prej 2 golave, në fund nga Kratova u rikthye me një pikë të fituar, pasi në pjesën e dytë arritën të shënojnë dy herë në rrjetën e Efremov, me Artan Veliun, i cili golin e barazimit e realizoi në minutën e 93-të.

Krejt në fund disfatës i shpëtoi edhe Renova, që me anë të Nenad Mishkovskit në minutën e 90-të barazuan rezultatin në 1:1. Ky gol erdhi pas një penaltie të akorduar nga ana e arbitrit kryesor, për shkak se Dimitrovski luajti me dorë në zonën e rreptësisë, ndërsa Mishkovski nuk fali kësaj here dhe përmirësoi gabimin e Vlatko Stojanovskit, i cili në minutën e 69-të nuk kishte arritur që të shënojë nga pika e bardhë. Ndryshe golin e epërsisë për Rabotniçkin në këtë takim e kishte shënuar Petar Petkovski në minutën e fundit të pjesës së parë.

Me barazimin 1:1 u mbyll edhe ndeshja në Kërçovë midis Pobedës dhe Bellasicës, e ku debutimin e tij me fanellën e skuadrës nga Prilepi e kishte edhe Bujamin Asani, ndërkohë në Strumicë, Akademia Pandevi demoloi Makedonija GJ.P me rezultatin 3:0.

LPFM, Java XIX
Ak. Pandev 3 : 0 Makedonija Gj.P
Pobeda 1 : 1 Bellasica
Rabotniçki 1 : 0 Renova
Shkëndija 1 : 0 Vardari
Sileksi 2 : 2 Shkupi

Leave a Reply