Mesi është tmerri i Mançester Junajtedit

Barcelona do të jetë sonte mysafire në “Old Trafford”, për t’u përballur me vendësit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Të dyja skuadrat kanë mjaft histori në garën madhore europiane.

Fitorja historike me përmbysje e “Djajve të Kuq” më 1999 ndaj Bayernit, në shtëpinë e Barcelonës, “Camp Nou”, ka zënë vend në “folklorin” e futbollit. Ish-lojtari dhe trajneri i tanishëm, Ole Gunnar Solskjaer, bëri heroin në kohën shtesë, duke shënuar golin e fitores.

Katalanasit humbën në gjysmëfinalen e sezonit 2007-2008 ndaj Manchester United, por i mposhtën anglezët në finalet e vitit 2009 dhe 2011. Lionel Messi, si pjesë thelbësore e kampionëve të La Liga-s, po zhvillon një sezon të frikshëm. Aktualisht është golashënuesi më i mirë i Europës. Po cilat janë shifrat e tij kundër kundërshtarëve të mbrëmjes së sotme?

Messi ka luajtur kundër Manchester United katër herë në Ligën e Kampionëve, duke fituar dy ndeshje, humbur një dhe barazuar një tjetër. Ai ka shënuar dy gola në katër përballjet me “Djajtë e Kuq”.

Herën e parë luajti kundër anglezëve në sezonin 2007-2008 të Ligës së Kampionëve, kur Barcelona dështoi të shënonte e fitonte në gjysmëfinale. Sfida e parë përfundoi 0-0 në “Camp Nou”, ndërsa kthimi në “Old Trafford” prodhoi fitore minimale të vendësve, falë golit të Paul Scholes.

Messi mbeti “thatë”, ndërsa Manchester United gjeti Chelsea në finale, të cilin e mundi falë penalltive dhe ngriti trofeun “veshëgjatë”. Në dy rastet e mëpastajme të ballafaqimit me skuadrën e Sir Alex Ferguson, ylli argjentinas ka qenë më i suksesshëm. Më konkretisht, që nga gjysmëfinalja e vitit 2008, Leo ka luajtur kundër “Djajve të Kuq” dy herë në finalet e Ligës së Kampionëve. Ai ka shënuar një gol në finalen e Romës (2009) dhe, në fund të fundit, e çoi Barcelonën drejt lavdisë europiane.

Po kështu, ia doli ta ndëshkojë skuadrën e Premier League edhe në “Wembley”, në finalen e vitit 2011, e cila mbaroi me rezultatin 3-1. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” rezultoi vendimtar me golin e dytë, duke bërë të pavlefshëm barazimin e Wayne Rooney. Në tabelën më poshtë mund të shihni në mënyrë të përmbledhur të gjitha shifrat e Lionel Messit kundër Manchester United:

Data Ndeshje luajtur Ndeshje startues Minuta lojë Ndeshje fituar Ndeshje barazim Ndeshje humbur Gola Asiste
28 maj 2011 1 1 90 1 0 0 1 0
27 maj 2009 1 1 90 1 0 0 1 0
29 prill 2008 1 1 90 0 0 1 0 0
23 prill 2008 1 1 62 0 1 0 0 0
Totali 4 4 332 2 1 1 2 0

/telesport/

Leave a Reply