Alioski me lëndim serioz, mbyll sezonin para kohe

Reprezentuesi i Maqedonisë Ezgjan Alioski do t’i mungojë Lids Junajtedit në ndeshjet e mbetura të sezonit. Alioski ka operuar sot meniskun e këmbës së majtë, pasi mbrëmë në ndeshjen ndaj Brentfordit mori dëmtim serioz, që detyroi të largohet nga fusha që nga minuta e 11-të.

“Ne jemi të zhgënjyer me lajmin që Gjani nuk do të mund të luaj deri në fund të sezonit. Ai tregoi kualitetin e tij gjatë gjithë sezonit, duke luajtur në pozicione të ndryshme. Alioski është futbollist i dëshiruar në skuadrën tonë, gjithmonë i vendos bashkëlojtarët në rend të parë dhe është shembull për të gjithë në skuadër”, ka thënë drejtori sportiv i Lids Junajtedit, Viktor Orta.

Alioski me shumë gjasa do të mungojë edhe në dy ndeshjet e radhës eliminatore “Euro 2020” që Maqededonia do t’i luajë në muajin qershor kundër Polonisë dhe Austrisë. /SHENJA/

Leave a Reply