Tifozët vendosin, Rashica futbollisti më i mirë i Verder Bremen për sezonin 2018/19

Paraqitjet e jashtëzakonshme këtë edicion me skuadrën e Verder Bremenin, e kanë shpërblyer Milot Rashicën.

Ylli kosovar është zgjedhur nga tifozët si futbollisti më i mirë i sezonit 2018/19 tek klubi gjerman. Rashica kaloi një sezon të jashtëzakonshëm me fanellën e Bremenit, duke qenë i pandalshëm sidomos në pjesën e dytë të sezonit.

“Tifozët e Verder Bremenit kanë vendosur: Milot Rashica është ‘Futbollisti i sezonit 2018/19’. Urime Milot!”, – kanë shkruar nga klubi gjerman në rrjetin social, Instagram.

Rashica ka shënuar 12 gola në total këtë sezon me Verder Bremenin, 9 prej të cilëve në Bundesligë dhe 3 të tjerë në kuadër të Kupës së Gjermanisë.

Përveç golave të shënuar, ai ka bërë edhe 6 asistime, statistika këto mjaft impresionuese dhe që kontribuan që në fund Rashica të shpërblehet nga ana e tifozëve të skuadrës së tij.

Ndërkohë, Rashica ishte i jashtëzakonshëm edhe me përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën realizoi dy gola në muajin qershor, një kundër Malit të Zi dhe një tjetër ndaj Bullgarisë, ndaj së cilës “dardanët” shënuan fitore me rezultatin 3:2 midis Sofjes.

Leave a Reply