Feronikeli i Ramadanit dhe Bojkut kalon në finalen e raundit paraeliminatorë (VIDEO)

Skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli, ka kaluar në finalen e madhe të raundit paraeliminatorë të Ligës së Kampionëve, pasi sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale mundi ekipin e Lincoln Red Imps FC nga Gjibraltari, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse pritej ndoshta ndonjë fitore më e lehtë e skuadrës nga Drenasi, në fund doli që skuadra e strategut shkupjan, Zekirja Ramadani të shënojë vetëm fitore minimale 1:0.

Golin e vetëm për Feronikelin e realizoi Mendurim Hoti, edhe atë që në minutën e 3-të. Një paraqitje bukur të mirë te “industrialistët” sonte bëri edhe përforcimi më i bujshëm i skuadrës kosovare, Besmir Bojku (i huazuar nga Shkëndija), i cili tregoi se do të jetë një përforcim i madh për mesfushën.

Strugani në fushë qëndroi deri në minutën e 82-të, për t’ia lëshuar vendin më pas Armend Thaçit.

Feronikeli në finale do të përballet me skuadrën e Santa Coloma nga Andora, që më herët gjatë ditës së sotme me po të njëjtin rezultat (1:0) mundën ekipin e Tre Pene nga San Marino, transmeton “infOSport.mk”.

Ndeshja midis Feronikelit dhe Santa Coloma në program është të premten me fillim në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Skuadra fituese e kësaj mbrëmje do të fitojë të drejtën të luaj në raundin e parë eliminatorë, ku do i pret përballja me skuadrën e Nju Seints nga Uellsi.

Leave a Reply