Historike, femrat e Vllaznisë dhe Mitrovicës kalojnë grupin paraeliminatorë të LK

Dy skuadrat shqiptare në konkurrencë të femrave, Vllaznia e Shkodrës dhe KFF Mitrovica  kanë shkruar historinë, teksa sot arritën që të kualifikohen në mesin e 32 skuadrave më të mira europiane, duke kaluar fazën në grupe të Ligës së Kampionëve.

Skuadra shkodrane, ka dominuar grupin 10 të kualifikueseve të këtij turneu dhe me shumë meritë ia ka dalë që të sigurojë një vend mes skuadrave më të mira në kontinent.

Pasi fitoi dy ndeshjet ndaj rivaleve irlandeze dhe malteze, sot Vllaznia barazoi 1:1 ndaj Gintra të Lituanisë, organizatore e këtij grupi dhe skuadra e 24 në renditjen e UEFA-s. Godçenko në minutën e 49-të kaloi në epërsi ekipin vendas, ndërsa golin e barazimit për Vllazninë e realizoi Doçi nga pika e  bardhë.

Mitrovica ka dalë e para në grupin e dytë parakualifikues në Ligën e Kampionëve, derisa në ndeshjen e fundit të zhvilluar gjatë ditës së sotme triumfoi përballë ZFK Breznicës me rezultatin minimal 1:0.

Golin e vetëm në këtë përballje e realizoi Kaltrina Biqkaj, duke i mundësuar në këtë mënyrë skuadrës së Mitrovicës të marrë edhe fitoren e tretë në grup, pas atyre ndaj Olimpia Kluzh (2:1) dhe NSA Sofia (2:0).

Mitrovica e mbylli grupin me 9 pikë, duke lënë pas vetes ekipin e Breznicës me 4 pikë. Olimpia Kluzh e mbylli grupin me 3 pikë, ndërkohë NSA Sofia mori vetëm 1 pikë.

Leave a Reply