Hill Climb “Trofeu Skënderbej 2019” në edicionin e gjashtë, pilotë nga gjithë Ballkani     

Klubi i Automobilit të Shqipërisë vazhdon traditën duke organizuar për të 6-in vit radhazi garën “Hill Climb Trofeu Skënderbej 2019”. Eventi do të zhvillohet në datat 7 dhe 8 shtator 2019 (e shtunë, 7 shtator 2019 – provat zyrtare, e dielë, 8 shtator 2019 – gara)

Gara është e regjistruar në kalendarin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) dhe është e vlefshme për kampionatin “Hill Climb” të Zonës së Evropës Qendrore(CEZ-FIA).

Në këtë garë do te marrin pjesë pilotë profesionistë që garojnë për kampionatin CEZ-FIA nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Polonia, Bosnjë-Hercegovina apo edhe shtete të tjera.

Gjithashtu, ka edhe një garë promo ku mund të marrin pjesë të apasionuar nga Shqipëria.

Itinerari ka një gjatësi prej 3.800 metrash. Në pikën e nisjes ka një lartësi prej 790 metrash mbi nivelin e detit, ndërsa në finish në vendin e quajtur Sarisalltik është 1130 metra. Diferenca është 340 metër.

Pista do të jetë e mbyllur për trafikun normal gjatë sesionit të provave të lira dhe garës. Rruga është e gjitha me asfalt me një gjerësi prej gjashtë metrash, ndërsa ka 7 kthesa majtas dhe 8 djathtas.

Kujtojmë që një vit më parë fitues u shpall piloti polak Grzegorz Duda me automjetin Hyundai i20 WRC.

Ky event po bëhet gjithmonë e më shumë i preferuar nga pilotët pasi jo vetëm kanë mundësinë që të marrin pjesë në një garë të rëndësishme, të vlefshme për Kampionatin “Hill Climb” të Zonës së Evropës Qendrore, por gjithashtu shijojnë edhe peizazhin mbresëlënës që të ofron itinerari me finishin që ndodhet 1130 metra mbi nivelin e detit. Një prej pikave me pamje spektakolare që vizitohet së tepërmi nga turistët.

Të gjithë të apasionuarit që dëshirojnë të marrin pjesë, mund të regjistrohen në linkun:

http://kstiming.com/listacez.php 

Gjithashtu, mund të kontaktojnë edhe në rrjetet sociale të ACA-s në “Facebook”, “Instagram” apo edhe në adresat e e-mailit: sekretaria@aca.al dhe sport@aca.al

Leave a Reply