Struga Trim Lum e pakënaqur me ndarjen e drejtësisë në ndeshjen me Vardarin

Struga Trim Lum të shtunën pësoi disfatë 3:0 përballë Vardarit në Shkup, mirëpo e njëjta sipas drejtuesve të skuadrës strugane nuk ishte arritur në mënyrë korrekte nga ana e skuadrës kundërshtare, shkruan “infOSport.mk”.

Ata kanë vërejtje në referimin e treshes së arbitrëve, të cilët kishin dëmtuar drejtëpërdrejtë në dy raste skuadrën e tyre.

Rasti i parë ka qenë shënimi i golit të parë, që sipas drejtuesve të Struga Trim Lum u realizua nga një pozitë jashtëloje, e që më së miri mund të shihet edhe përmes video materialit më poshtë.

Këtu sipas tyre faji qëndron te asistenti i parë i Marjan Gocevskit, Nikolla Karakolev, që duheshe të sinjalizojë pozitë jashtë loje, ndërkohë rasti i dytë ka të bëjë para shënimit të golit të dytë, kur arbitri kryesor duheshe patjetër të ndërpresë ndeshjen që në gjysmëfushën e Vardarit, për shkak se futbollisti i tyre Burhan Mustafov ishte ndalur në mënyrë të palejuar.

Mungesa e reagimit të Gocevskit, bëri që Vardari në vazhdim të aksionit të shënojë edhe golin e dytë përmes brazilianit Zhuninjo, e që ky gol prishi ekuilibrat në lojën e Struga Trim Lum që deri në minutën e 63-të (para shënimit të golit të parë) u tregua një kockë e fortë për Vardarin, që në asnjë moment nuk arriti të rrezikojë më konkretisht portierin, Gjuriç.

Ankimimin e tyre drejtuesit e Struga Trim Lum do ta dorëzojnë sot deri te Komisioni i arbitrëve pranë FFM-së, që me siguri se do të analizojë rastet e dyshimta të kësaj përballjeje, e nëse është nevoja do të reagojë me ndonjë ndëshkim ndaj emrave të involvuar, gjithnjë nëse ata konstatojnë gabimet e arbitrëve.

Leave a Reply