Sejdini dhe Georgieski nënshkruajtën marrëveshje, stadiumi i Ohrit bëhet me tribunë të re

Pas vendosjes së terreneve të reja me sistem më modern për kullim e ujitje dhe ndriçimit/projektorëve në stadiumet në Tetovë, Shtip dhe Manastir, Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, me në krye presidentin Muhamed Sejdini vazhdon të orientojë mjetet e UEFA-së për zhvillim në investime infrastrukturore për përmirësimin e kushteve në stadiumet e gjithë vendit.

Paralel me tribunën në stadiumin e Çairit në Shkup, tashmë do të ndërtohet tribunë moderne bashkëkohore edhe në stadiumin e qytetit të Ohrit, “Burimet e Biljanës”.

Me këtë rast numri një i futbollit vendor, Muhamed Sejdini, dhe ai i qytetit të Ohrit, Konstantin Georgieski, nënshkruajtën marrëveshje për bashkëpunim në projektin për ndërtimin e tribunës së re në stadiumin kryesor të këtij qyteti turistik, ku gjatë stinorit të verës shumë skuadra nga rajoni kryejnë përgatitjet para sezonale, duke zhvilluar edhe ndeshje të shumta miqësore.

Ndryshe ky projekt është pjesë e aktiviteteve të FFM-së, për përmirësimin e infrastrukturës në Komunat e vendit tonë, me ndihmën e UEFA-s dhe programit për zhvillim.

Renovimi dhe ndërtimi i tribunave në stadiumin e Çairit dhe tashmë edhe të Ohrit, si dhe vendosja e tapetit të ri në stadiumin “Goce Dellçev” në Prilep janë tre aktivitetet kryesore, që FFM po i zhvillon në tre komuna të ndryshme.

Leave a Reply