Futsal Shkupi rrëmben të gjitha çmimet në futsal për edicionin 2018/2019

U themeluan në vitin 2014-të, ndërsa brenda 5 viteve ata sundojnë në mini futbollin vendor. Fjala është për Futsal Shkupin, skuadër kjo që sonte rrëmbeu çmimet e më të mirëve në lojën e futsalit, njofton “infOSport.mk”.

Dhe nuk ka se si mos të ndodhte kështu, kur skuadra “bardhekaltër” nga Çairi edicionin e kaluar fitoi të dy titujt më të rëndësishëm në vend, titullin e kampionit dhe Kupën e Maqedonisë së Veriut.

Mirëpo ata nuk u ndalën këtu, bënë një super paraqitje edhe në arenën ndërkombëtare, ku fillimisht kaluan raundin parakualifikues, në të cilin ishin në rolin e nikoqirit, që më pas me shumë dinjitet të prezantojnë vendin tonë në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve në Makarska të Kroacisë.

Serinë e rezultateve pozitive Futsal Shkupi e vazhdoi edhe edicionin e ri 2019/2020, ku pas 11 xhirove me 10 fitore dhe vetëm një barazim mban pozitën e parë në elitën e futsalit vendor, duke vazhduar dominimin dhe njëherit ëndërrën për tu bërë skuadra më e suksesshme në historikun e futsalit në vendin tonë.

Ata edhe pse po zhvillojnë vetëm sezonin e 5-të në mesin e më të mirëve, tashmë pas vetes kanë dy tituj kampion, një trofe të Kupës dhe një finale të humbur, transmeton “infOSport.mk”.

Ndërkohë sa u përket çmimeve të fituara sonte, ato i rrëmbyen Zoran Lekiq, si trajneri më i mirë në lojën e futsalit, pastaj Taulant Ismaili, që u bë pjesë e historisë më të lavdishme të Futsal Shkupit, skuadër kjo që njëherit edhe u shpall si më e mira në këtë sport. Si duket sukseset në futsalin vendor kanë vetëm një emër, FUTSAL SHKUPI.

Leave a Reply