Ilir Daja i mahnitur me shkupjanin 18-vjeçar, Agon Elezi

Skënderbeu të mërkurën zhvilloi edhe miqësoren e tretë në kuadër të mini përgatitjeve për pjesën e dytë të kampionatit në Superligën shqiptare, njofton “infOSport.mk”.

Pas fitores 5:2 ndaj Besëlidhjes, skuadra korçare dje me shifrat 4:1 mundi Teutën. Edhe në këtë ndeshje te Skënderbeu me lojë të mirë u dallua shkupjani 18-vjeçar Agon Elezi, i cili edhe pse nuk shënoi në këtë ndeshje, mori lëvdata nga ana e trajnerit Ilir Daja.

Në ndeshjet miqësore normalisht që nuk është rezultati element cilësor, pavarësisht se përballë sot (dje) kishim një skuadër që ka bërë mirë në gjysmën e parë të sezonit. Ajo që më kënaqi më shumë ishte lëvizshmëria dhe loja në grup e ekipit si dhe forma e mirë e lojtarëve për të qenë gati për të startuar që në ndeshjen e parë. Elementi i dytë që ishte pozitiv në këtë ndeshje miqësore ishte që edhe disa lojtarë të rinj, sidomos Elezi që është vetëm 18 vjeç dhe ishte pjesë e formacionit bazë në të gjitha ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar, – ka bërë një paraqitje shumë të mirë”, është shprehur Ilir Daja në një prononcim për “Panorama Sport”.

Elezi në ndeshjen ndaj Besëlidhjes shënoi një gol, ndërsa bëri paraqitje të mira edhe ndaj Egnatias, ashtu edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Teutës. Me këto paraqitje Agoni po paralajmëron për një sezon të madh që pritet të bëjë me Skënderbeun në stinorin pranveror, e ku testin e parë më serioz pritet ta ketë me 22 janar, kundër kampionëve të Partizanit në kampionat.

Leave a Reply