Ernest Gjoka merr përgjegjësinë për disfatën nga Boreci

Shkëndija nuk ka kaluar aspak mirë sot në transfertën në Veles përballë Borecit, duke pësuar një disfatë turpëruese 4:2 në duelin e vlefshëm për xhiron e 22-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut.

Paraqitja dhe rezultati nuk ishte aspak në drejtim me pritjet e të gjithëve në taborin “kuqezi”, ndërsa edhe trajneri Gjoka pas ndeshjes nuk fshehi dëshpërimin nga epilogu i kësaj ndeshje.

“Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e keqe nga ne. Mendoj se nuk funksionuam, bëmë shumë gabime në fazën mbrojtëse. Këto janë ndeshje ku duhej të ishim shumë më të përgjegjshëm, por gabuam. Mendoj që ky është një gabim shumë i madh dhe mendoj që i pari fajtor jam unë këtu. Por duhet të ecim më tutje dhe të kuptojmë se çdo ndeshje është si finale për ne dhe duhet ta interpretojmë ashtu si duhet. Më shumë më vjen keq për interpretimet që bëmë, për gabimet që bëmë dhe për këtë them se unë marr përgjegjësinë sot” – u shpreh trajneri i “kuqezinjëve”, Ernest Gjoka.

Ishte kjo disfata e dytë nga gjithsej 3 ndeshje të zhvilluara kundër Borecit këtë edicion, skuadër kjo që ndaj Shkëndijës kishte ngadhnjyer edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar me 31 gusht të vitit të kaluar. Fitoren e vetme skuadra kampione në fuqi e kishte regjistruar në Tetovë kur me 3 nëntor kishte shënuar fitore të pastërt 4:0.

Leave a Reply