Dejvid Bekam e dëshiron Modricin te skuadra e tij

David Beckham, president dhe njëkohësisht një nga pronarët e Inter Miamit, ekip që do të debutojë këtë sezon në MLS, po përgatit një ofertë marramendëse për të marrë Luka Modricin nga Real Madridi.

Beckham, i cili luajti për “Los Blancos” mes viteve 2003 dhe 2007, dëshiron që skuadra e tij e re të ketë mesfushorin kroat me një kontratë deri në vitin 2021, si lojtar “ekskluziviteti” (mund të paguhet me shifra të larta). Ish-“ylli” i Anglisë po planifikon t’i ofrojë dyfishin e pagës që Modric aktualisht merr në “Santiago Bernabéu”.

Me gjithë shfaqjen mesfushorit të ri të talentuar, Valverde, Luka mbetet një nga shtyllat e formacionit të Zinedine Zidane. Gjatë këtij sezoni, kroati është aktivizuar në 23 takime, duke shënuar pesë gola dhe dhënë në pesë raste të tjera pasime vendimtare.

Një tjetër emër i madh, që synohet nga Inter Miami, sipas “Marca-s”, është Edinson Cavani, i cili mbeti në Paris pas dështimit të bisedimeve për t’u transferuar tek Atletico Madridi. Uruguainai do të jetë lojtar i lirë në përfundim të sezonit, kështu që Beckham mund të bindë lehtësisht t’i bashkohet skuadrës së re nga Florida me një pagë të majme.

Trajneri i Inter Miamit, Diego Alonso, ish-lojtar i Valencias, Malagas dhe Atlético Madridit, ka deklaruar se “ambicia” e ekipit të tij “është të përpiqet të fitojë titullin kampion në MLS që në debutim, ndërsa në vitin e dytë suksesi bëhet detyrim.”

Leave a Reply