Armando Broja firmos kontratë profesionale me Çelzin

Sulmuesi i moshave të reja të Kombëtares shqiptare, Armando Broja po kalon një formë të jashtëzakonshme me moshat e Çelzit, teksa pothuajse çdo javë ka qenë protagonist me golat e tij të realizuar.

Sulmuesi shqiptar, gjeti rrugën e rrjetës edhe ditën e djeshme, në derbin që skuadra e 23-vjeçarëve e zhvilloi përballë Arsenalit, ku “blutë” triumfuan me rezultatin 1:2.

Falë kësaj formë, Broja, ka arritur të bindë drejtuesit e klubit londinez, teksa ditën e sotme, ka firmosur kontratë profesionale me ekipin e Çelzit.

Këtë lajm fantastik shqiptari e ka ndarë me ndjekësit e tij në “Instagram”, teksa shkruan: “Shumë i lumtur që kam nënshkruar kontratën time profesionale me Çelsin. Faleminderit prindërve dhe familjes sime që gjithmonë më kanë përkrahur. Pa i patur ata pas shpinës sime, nuk do të isha këtu”.

Me këtë ecuri fantastike, gjasat janë të mëdha që sulmuesi i talentuar shqiptar të thirret nga trajneri Lampard në skuadrën e parë.

Leave a Reply