Skenari i bujshëm, Premierliga mund të zhvendoset në Australi

E ardhmja e sezonit të Premierligës vazhdon të jetë akoma në pikëpyetje. Pas mbledhjes së fundit të mbajtur ndërmjet skuadrave, u njoftua se ka një pajtueshmëri që ndeshjet e mbetura të zhvillohen në terrene neutrale, nëpër Angli.

Por, së fundmi po raportohet se ndeshjet e mbetura të Premierligës të sezonit 2019/2020 mund të zhvendosen në Australi, vetëm për pjesën e mbetur të këtij sezoni.

Është qyteti i Perth ai që është ofruar për të organizuar ndeshjet e ardhshme të Premierligës.

“Unë kam diskutuar me kontaktet e mia në klubet e Preimerligës dhe ata kanë pëlqyer këtë ide”, – citohet të ketë thënë Gary Uilliams, agjent i futbollit, i lindur në Birmingham.

“Kam folur gjithashtu edhe me qeverinë dhe ata janë entuziastë. Ne do të flasim përsëri gjatë kësaj jave. Të gjithë janë të sigurt këtu. Qeveria ka marrë masat e duhura”, – ka shtuar ai.

Kurse, lidhur me këtë ka folur edhe senatori i Perth, Glen Sterle, i cili ka shprehur gatishmërinë për ndihmë.

“Unë jam duke parë me shqetësim atë që po ndodhë në Angli. Ne duam të ndihmojmë”, ka thënë Sterle.

“Ne nuk kemi thuajse asnjë rast të ri. Do të ishte vetëm çështje karantinimi për disa nga miqtë tanë kur ata të vijnë këtu. Kur Geri foli për këtë, ishte ide e mrekullueshme. Jam i lumtur që ai po merr përgjigjen e njëjtë nga njerëzit që ka telefonuar”, ka shtuar senatori i Perth.

Mbetet të shihet nëse zyrtarët e Premierligës dhe klubet e kësaj lige do të pajtohen për një gjë të tillë.

Leave a Reply