Egzon Bejtullai ndahet me Helsingborgs IF për arsye familjare

Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Egzon Bejtullai nuk është më futbollist i skuadrës suedeze, Helsingborgs IF. Për arsye familjare tetovari ka kërkuar shkëputjen e parakohëshme të kontratës, ndërsa ka gjetur mirëkuptim maksimal nga drejtuesit dhe stafi teknik i klubit.

Egzon Bejtullai u transferua në Suedi në janar të këtij viti kur firmosi kontratë tre vjeçare me Helsingborgs IF, pas 6 sezoneve shumë të suksesshme me Shkëndijën e Tetovës. Ai ishte pjesë e përgatitjeve dimërore dhe ndeshjeve parasezonale me Helsingborgs IF, pjesën më të madhe si titullar. Një ftesë nga vendlindja për një çështje familjare u mendua se do ta kthente Bejtullain vetëm për disa ditë në Maqedoni të Veriut, mirëpo gjërat do të komplikoheshin fillimisht kur ai do të kishte nevojën të zgjaste qëndrimin për të qenë pranë familjes, ndërsa më pas edhe me mbylljen e kufinjëve shkaku i pandemisë me COVID-19.
“Për arsye familjare duhet të jem në shtëpi. Për të qenë korrekt me klubin kjo ishte zgjidhja më e mirë, pasi nuk jam në gjendje të kontribuoj në mënyrën si dëshiroj. Klubi më ka mbështetur në problemin dhe zgjedhjen time dhe jam mirënjohës që kemi gjetur akordin për tu ndarë miqësisht. Në jetë jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu si shpresojmë dhe duam. Helsingborgs IF i uroj gjithë të mirat për të ardhmen”, është shprehur Egzon Bejtullai pas shkëputjes së kontratës me skuadrën suedeze.

Ndërkohë nuk ka munguar mbështetja publike edhe nga Helsingborgs IF për Egzon Bejtullain. Ekipi suedez në web faqen zyrtare duke konfirmuar ndërprerjen e bashkëpunimit me tetovarin mes tjerash shkruan: “Helsingborgs IF mbështet Egzonin në situatën e tij private dhe shpreson në rezultatin më të mirë të mundshëm. Ne e falënderojmë për kohën e tij në klub dhe i urojmë fat të mirë në të ardhmen”.

Kështu tashmë zyrtarisht reprezentuesi Egzon Bejtullai është lojtar i lirë dhe periudhën në vijim do të vendos për klubin ku do të vijojë karrierën edhe pse duket se në këtë moment familja mbetet primare. Bejtullau 6 vite ishte pjesë e Shkëndijës ku u rrit në mbrojtës reprezentues, ndërsa paraprakisht ishte pjesë e Teteksit të Tetovës.

Leave a Reply