Levandovski synon “Këpucën e Artë”, por njëkohësisht edhe rekordin personal

Sulmuesi i Bajernit të Munihut, Robert Levandovski vijon të mbetet një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim, pasi me golin e shënuar ndaj Bajer Leverkusenit të shtunën, e çoi në 30 numrin e rrjetave të këtij sezoni, shifra këto që e mbajnë në krye të listës së golshënuesve në TOP ligat europiane.

Bomberi polak po ecën me ritme të jashtëzakonshme dhe është absolutisht pretendenti kryesor për të fituar “Këpucën e Artë”, duke qenë se tani kryeson me 60 pikë, i ndjekur nga Çiro Immobile i Lacios me 54 pikë, duke qenë se italiani ka shënuar 27 gola deri tani në “Serie A”.

Javën e ardhshme Levandovski do të mungojë për shkak të pezullimit, ndërsa më pas do të ketë në dispozicion vetëm 3 ndeshje për të shënuar sa më shumë dhe për të provuar të ruajë kryesimin e listës së golshënuesve europianë, duke qenë se Immobile ka edhe 12 javë në dispozicion.

Një tjetër motivim për bomberin polak të Bajernit të Munihut është edhe përmirësimi i rekordit të tij të golave në një sezon të vetëm, që aktualisht është 31, por ambicia e Levandovskit shkon edhe më lart, pse jo të provojë t’i afrohet rekordit të Gerd Myller, me 40 gola në një sezon.

Leave a Reply