Vllaznia e Shkodrës nuk mundet pa futbollistë maqedonas!

Pas largimit të Filip Gligorov, Andreja Efremov dhe Simeon Hristov, Vllaznia e Shkodrës për sezonin e ri ka angazhuar një tjetër futbollistë maqedonas, njofton “infOSport.mk”. Bëhet fjalë për Aleksandar Isaevski, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës bullgare të Dunav Ruse, ndërsa karrierën e tij e kishte nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te Detroit Siti.

Pikërisht nga kjo skuadër gushtin e vitit 2017-të, Isaevski vendosi të rikthehej në vendlindje, duke nënshkruar kontratë me Makedonija GJ.P, ndërsa në Maqedoni gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Pobedës nga Prilepi.

Në elitën e futbollit vendor Isaevski numëron 30 ndeshje, ndërsa me Dunav Ruse edicionin e kaluar kishte zhvilluar plotë 20 ndeshje në futbollin bullgar.

Ai te Vllaznia pritet që të përforcojë krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa së shpejti pritet që të vihet nën urdhërat e trajnerit Tomas Brdariç.

Isaevski kështu bëhet afrimi i dytë i Vllaznisë, pas Ardit Hoxhës nga Flamurtari, teksa ditëve në vijim pritet prezantimi i të dyve nga ana e drejtuesve të Vllaznisë, që gjithashtu vazhduan bashkëpunimin edhe për dy vite tjera me Ardit Krymin.

Kujtojmë përveç 3-es së futbollistëve maqedonas, Gligorov, Efremov dhe Hristov, nga Vllaznia gjithashtu u larguan edhe portieri Alen Sherri, Ndriçim Shtubina, Silvio Junior, Hygor dhe Renato Malota.

Leave a Reply