Teuta “ilaçi” i Tiranës, i mund kampionët e Shqipërisë edhe në Superkupë

Teuta është “ilaçi” i Tiranës si duket. Në një periudhë të shkurtës skuadra durrsake ka triumfuar në dy finale përballë skuadrës kampione të Shqipërisë, e cila nuk mundi dot ti gëzohet trofeut të SuperKupës, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra “bardheblu” nga kryeqendra shqiptare u mund 2:1 përballë Teutës, skuadër kjo që në këtë mënyrë 100 vjetorin e saj e festoi me dy trofe të rëndësishëm. Këto trofe fitojnë në peshë edhe më shumë, kjo pasi që të dyja i ka fituar përballë kampionëve të Tiranës.

Hero i skuadrës së Teutës në këtë ndeshje rezultoi të jetë 22-vjeçari Rubin Hebaj, i cili i realizoi që të dy golat për skuadrën e tij, edhe atë gjatë pjesës së parë.

Golin e parë Hebaj e realizoi në minutën e 21-të, kur përfitoi nga gabimi i pafalshëm i portierit veteran, Ilion Lika. Gardiani bardheblu do të shlyente gafën më vonë duke pritur një penallti, por Rubin Hebaj gjendet sërish aty për të përfituar dhe i dyfishon shifrat më minutën e 33-të.

Pjesa e parë ishte për t’u harruar për Tiranën. U desh që Teuta të mbetej me 10 lojtarë pas daljes së Arapit me të kuq në minutën e 64-të, në mënyrë që “bardheblutë” të ngulmonin më tepër përpara. Megjithatë goli ka ardhur vetëm në minutën e 75-të, kur Jurgen Vrapi finalizon një aksion model me një top në trekëndësh.

Por ndeshja nuk ka më histori dhe Teuta prek trofeun e Superkupës. Kjo është hera e 3-të që Martini ia del të triumfojë përballë kryeqytetasve së Egbosë. Teuta duket se ia ka marrë dorën kësaj Tirane, madje e dëshmon një gjë të tillë edhe me 10 lojtarë në fushë.

Leave a Reply