Napoli demolon Xhenoan e Pandev, Elif Elmas protagonistë me gol (VIDEO)

Napoli i Elseid Hysajt dhe Elif Elmas kanë demoluar Xhenoan e Goran Pandev dhe Valon Behramit në ndeshjen e vlefshme të javës së dytë në “Serie A”, njofton “infOSport.mk”. Napoli shënoi fitore 6:0, ndërsa pikërisht dyshja Hysaj – Elmas dolën të jenë protagonistë në shënimin e golit të 5-të.

Hysaj nga e majta pasoi për Elif Elmas në brendi të zonës, ndërsa shkupjani pasi krijoi hapësirën e duhur për të goditur,  bëri një gjë të tillë në mënyrën më të mirë, duke mposhtur për herë të 5-të portierin Marketi.

Elmas golin e tij të parë në sezonin e ri me fanellën e Napolit e realizoi në minutën e 69-të, ndërsa i njëjti në lojë ishte inkuadruar në minutën e 22-të, kur zëvendësoi të lënduarin Insinje.

Përveç Elmas për Napolin në takimin e sotëm shënuan edhe Lozano (10’, 65’), Zielinski (46’), Mertens (57’) dhe Politano (72’).

Hysaj luajti titullarë te Napoli, ndërsa Rrahmani mbeti në bankinë. Në anën tjetër Goran Pandev dhe Valon Behrami te Xhenoa në lojë u inkuadruan gjatë pjesës së dytë. Për Napolin ishte kjo fitorja e dytë në sezonin e ri, me ç’rast kjo skuadër me një gol averazh impresionues 8:0 kryeson renditjen me 6 pikë, po aq sa kanë edhe Milani dhe Verona në pozitat dy dhe tre.

Leave a Reply