Nurmagomedov: Kjo ishte lufta ime e fundit, i’a kam dhënë fjalën nënës time

Khabib Nurmagomedov ashtu edhe siç pritej doli fitues përballë Xhastin Gejxh, të cilin e mundi me “triangle chop”. Ishte kjo fitorja e 29-të nga po aq lufta për dagestanezin, i cili menjëherë pas fitores së madhe shpërtheu në lot, kjo pasi sonte afër teje nuk e kishte babanë e tij, të cilin gjatë gjithë karrierës e ka pasur krahun e tij të djathtë.

Pikërisht  mungesa e tij ka bërë që Khabib të mendoj edhe largimin nga ky sport, gjë të cilën e konfirmoi menjëherë pas luftës duke lënë dorezat brenda oktagonit. Ai tha se i ka premtuar nënës së tij se kjo do të jetë lufta e tij e fundit.

“Dua të them se kjo është lufta ime e fundit. Në asnjë mënyrë nuk do të vij këtu pa babanë tim. Para luftës me Xhastin unë kam folur me nënën time për tre ditë të plota.  Ajo nuk donte që unë të luftoja pa babanë, ndërsa unë i thashë se kjo do të jetë lufta ime e fundit dhe unë i kam dhënë asaj fjalën” – u shpreh Khabib Nurmagomedov, i cili e këshilloi edhe kundërshtarin e tij të sontëm.

“Faleminderit shumë Xhastin. E di që ju jeni i shkëlqyeshëm, e di se si kujdeseni për familjen tuaj. Por rini afër prindërve tuaj, sepse kurrë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë nesër. Faleminderit trajner, faleminderit djema. Sot është lufta ime e fundit në UFC” – vijoi Khabib, i cili tha se nuk është i interesuar më për lufta.

”Ishte ëndrra e babait tim. Xhastin dhe Konor do të luftojnë në janar, unë i kam fituar që të dy, nuk jam i interesuar për ndonjë luftë me asnjërin” – ka përfunduar Khabib Nurmagomedov.

Leave a Reply