“Seria A” vendos rekord në futbollin europian, 164 gola në 5 javë!

Shpeshherë “Serie A” akuzohet se është kampionati më pak spektakolar, ai i mbrojtjeve të hekurta dhe i golave të paktë, por ja tek papritur italianët kanë parë që të ndryshojnë së bashku me periudhën e pandemisë.

Pas pesë javëve të para të mbyllura, elita e futbollit në gadishullin Apenin numëron 164 gola të realizuar, një çmenduri e cila nuk shihej që prej sezonit 1950- 1951. Sigurisht që përpara 70 vitesh ishte një futboll tjetër, por papritur, “Seria A” është mbretëresha e golave të shënuar në total, por edhe mesataresh për ndeshje, ku realizimi shkon deri në 3.28 gola për takim, më shumë se kushdo tjetër në pesë ligat kryesore dhe më tepër se kushdo tjetër në kontinentin e vjetër.

Në këtë mënyrë “Seria A” papritur ka lënë pas për gola të shënuar të gjitha kampionatet elitare në Europë, duke numëruar 36 gola më shumë sesa një sezon më parë dhe kjo nuk është një statistikë që mund të kalojë pa u vënë re, aq sa duket sikur Italia ka vendosur të heqë dorë nga mbrojtjet e hekurta dhe të mendojë për sulmin.

Leave a Reply