Berisha: Po të ishim një kombëtare do na kishte frikë e gjithë Europa

Gardiani i Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha ishte në krah të trajnerit Edi Reja në konferencën për shtyp në prag të vëllazërores me Kosovën, që do të luhet nesër pasdite në “Elbasan Arena” dhe që do të shërbejë si test për të dyja këto skuadra në dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.

Berisha tha se ndeshja me Kosovën do të jetë një takim shumë i qetë, ndërsa pikërisht bindja e tij për të përfaqësuar gjithë shqiptarët ka bërë që ai të përfaqësojë kombëtaren e Shqipërisë, edhe pse është me origjinë nga Kosova.

Prishtinasi thotë se shqiptarët po të kishin një ekip kombëtarë, e gjithë Europa do ua kishin frikën.

“Meqë është miqësore apo vëllazërore, do të jetë takim i qetë. Po të kishim luajtur për kualifikim, që besoj do ndodhë, për ne do të ishte e vështirë, sepse e di që është vendi im Kosova si dhe Shqipëria. Kam shkuar këtu me bindjen t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët dhe ishalla bëhet një ekip kombëtar. Po të bëheshim një ekip, do të na kishte frikë e gjithë Europa. Jemi në një moment të vështirë, duhet ta luajmë këtë ndeshje si vëllazërore.” – tha Etrit Berisha.

Ndeshja Shqipëri-Kosovë do të zhvillohet në “Elbasan Arena” me fillim në ora 16:00.

Leave a Reply