Sozia shqiptarë i Zlatan Ibrahimoviç mezi pret ta takojë sulmuesin suedez

Jetojnë me mijëra kilometra larg, por e kanë një të përbashkët shumë të madhe. Ngjashmëria e yllit të futbollit Zlatan Ibrahimoviç dhe Shipdon Jahajt është shumë e madhe.

Djaloshi nga Istogu ngjason aq shumë me futbollistin suedez të Milanit, derisa shumë njerëz e ndalin për fotografi, duke menduar se e kanë takuar Zlatanin e vërtetë.

Një gjë e tillë i ka ndodhur sidomos në kohën sa ka jetuar në Holandë dhe në Gjermani.

25-vjeçari Jahaj në një rrëfim për “Zeri.info” flet për ngjashmërinë e tij me Ibrahimoviçin.

“Hera e parë kur kam filluar të krahasohem me Ibrahimoviçin ka qenë në vitin 2015, kur disa shokë më thanë që t’i rris flokët, pasi po dukem si Ibra. Prej atij momenti fillova t’i zgjas flokët dhe ta lëshoj mjekrën, sikurse ai”, – nis bisedën Shqipdon Jahaj.

Vetë “Doni” tha se i pëlqen fakti që po krahasohet me yllin e Milanit.

“Në disa aspekte ngjasoj, si nga gjatësia, ashtu edhe nga pamja fizike. Shumë njerëz më ndalin në rrugë për foto dhe më thërrasin Ibra”, – tha ndër të tjera Jahaj gjatë intervistës së realizuar në qytetin e Istogut.

Ibrahimoviçi vjen pas pak ditëve në Kosovë, “Doni” është më afër se kurrë ta realizojë ëndrrën e madhe.

Përfaqësuesja e Kosovës më 28 mars e sfidon në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Suedinë e Ibrahimoviçit, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror “Qatar 2022”.

Jahaj nga fshati Rakosh i Istogut e ka një dëshirë të madhe.

“Dëshira ime e vetme është që të paktën një herë të vetme ta takoj Zlatanin. Asnjëherë nuk më është dhënë mundësia ta shikoj ndonjë ndeshje të tij live. Nëse do ta takoja, do t’i thosha se është yll i futbollit”, – pohoi ai.

Kujtojmë se ndeshja Kosovë – Suedi do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, andaj Shqipdoni nuk do të ketë mundësi të jetë në stadium për ta shikuar nga afër sulmuesin boshnjak me nënshtetësi suedeze.

Gjithsesi, ëndrra nuk është shuar.

“Më vjen shumë keq që nuk do të jem në stadium, por ëndërroj të gjendet ndonjë mundësi që ta takoj”, – përfundoi Shqipdon Jahaj.

 

Leave a Reply