Kryeministri Albin Kurti vizitoi ekipin “Dardan” para ndeshjes me Suedinë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti të premtën ka vizituar ekipin përfaqësues të Kosovës në hotel “Emerald”.

Kryeministri Kurti përveç një bashkëbisedimi të këndshëm me futbollistët dardanë, ka zhvilluar  takim edhe me presidentin Agim Ademi, e ku të pranishëm ishin edhe seleksionuesi Bernard Çallandes, nënkryetari Bakir Burri, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Kurti përgëzoi djemtë dardanë për paraqitjet e tyre mbresëlënëse dhe i uroi ata për një cikël të suksesshëm në kualifikimet për Botërorin “Katar 2022”.

Kurti theksoi se futbolli në Kosovë gjithmonë ka qenë sport i dashur, derisa tani sukseset e djemve dardanë po e bëjnë krenar  të gjithë popullin.

Ai u shpreh i lumtur që në kampin e Dardanëve ekziston një atmosferë shumë e mirë dhe harmoni ndërmjet lojtarëve, pasi kjo është garancë për suksese të reja.

Në anën tjetër, presidenti Agim Ademi duke e uruar kryeministrin Kurti për detyrën e marrë, e falënderoi atë për vizitën dhe mbështetjen ndaj ekipit Kombëtar dhe i dhuroi një fanellë të ekipit kombëtar.

Ndërkaq, në emër të futbollistëve kryeministrin Kurti e përshëndeti kapiteni Samir Ujkani, i cili falënderoi institucionet dhe tërë popullin për përkrahjen e madhe që i japin ekipit kombëtar, duke u zotuar se do të japin edhe më tutje maksimumin në fanellën e shenjtë dardane.

Leave a Reply