Alioski flet për fitoren e Maqedonisë ndaj Gjermanisë dhe raportet me Bielsan

Ezgjan Alioski, futbollisti shqiptarë i Lids Junajtedit ishte pjesë e fitores së madhe të Maqedonisë ndaj Gjermanisë në Duisburg. Kjo fitore bëri shumë bujë në të gjitha mediat e mëdha sportive, ndërsa Alioski në një prononcim për “Zona Gol” në SuperSport, ka prekur sërih këtë sukses të madh të ekipit tonë përfaqësues.

Alioski në prononcimin e tij tha se sekreti i përfaqësueses së Maqedonisë, është miqësia mes futbollistëve, ndërkohë që preku edhe raportin me trajnerin Bielsa te Lids Junajtid në Premierligën angleze.

“Shkuam me shumë dëshirë, sepse e dinim që nuk kishim gjë për të humbur dhe ishte mundësia të tregonim cilësinë tonë. Luajtëm shumë mirë taktikisht dhe është një fitore që do mbahet mend gjatë. Asnjë përfaqësuese ballkanike nuk ka fituar në Gjermani. Skuadrën 4 herë kampione të botës vjen Maqedonia e vogël dhe e mposht. Duhet ta shijojmë dhe besoj se do mbahet mend gjithmonë, por për të shkuar në botëror na duhet ta mposhtim sërish Gjermaninë në shtëpinë tonë” – u shpreh Alioski, i cili zbuloi edhe çelësin e suksesit të Maqedonisë së Veriut këto vitet e fundit, duke pasur parasysh se ai bashkë me shokët e tij të skuadrës do prezantojnë vendin tonë në Europianin e këtij viti që luhet gjatë muajit qershor.

“Kemi individualitete me shumë cilësi, kemi shumë talente. 11-shja titullare përgjithësisht luan jashtë Maqedonisë dhe kjo besoj na ka ndihmuar edhe me shumë. Organizimi ka qenë jashtëzakonisht i mirë, fillon nga sistemi i moshave e deri tek kombëtarja A. Ka nisur gjithçka nga presidenti Sejdini, më pas trajneri, lojtarët. Kemi shumë vetëbesim, pasi kemi 5-6 vite së bashku dhe nuk jemi thjesht kolegë, jemi vërtetë miq me njëri tjetrin, kemi një grup të bashkuar” – deklaroi Alioski, i cili me paraqitje pozitive po na befason edhe me fanellën e Lids Junajtedit, aty ku për trajner ka një ndër emrat e njohur të futbollit botëror, Bielsa.

“E them me siguri qe Bielsa më ka bërë një lojtar shumë më të fortë. Më ka përmirësuar jo vetëm në fushë, por edhe nga ana psikologjike, sepse falë tij jam rritur shumë. Në skuadër nuk kemi një yll me emër të madh, por jemi një ekip që punojmë shumë, kemi disa vite së bashku dhe funksionojmë si grup. Nëse ky do të ishte viti ynë i dytë në Premierligë me Bielsën në stol, ndoshta do luftonim për një vend në Ligën e Kampionëve”

“Bielsa është një njeri shumë i veçantë. Nuk ka deshirë te ketë kontakte me lojtarët, por është një trajner që të motivon shumë, çdo ditë në stërvitje mëson diçka të re nga ai. Është një njeri që kontrollon gjithçka, nga ushqimi e deri tek ushtrimi i fundit në stërvitje. Është rigoroz dhe sa për shembull, nëse unë nuk bëj 12 km në ndeshje, kam probleme me të. Kur flet me Bielsën nuk është “loco”, ashtu si e ka pseudonimin, por fiksimi që ka për punën edhe për gjërat e vogla e bën të jetë unik, nuk ka të dytë. Është trajner fjalë-pak e punë-shumë” – përfundoi Alioski, i cili me Lids Junajtedin këtë edicion ka zhvilluar 28 ndeshje, duke realizuar edhe 2 gola në Premierligën angleze.

Leave a Reply