Trajner gjerman do të udhëheq Turqinë!

Kombëtarja e Turqisë ka zgjedhur çështjen e trajnerit, pas largimit të Shenoll Gunesh. Ky i fundit u largua pas rezultateve të dobëta në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Qatar 2022, që kulmuan me humbjen e thellë 6:1 ndaj Holandës.

Vendin e tij do të zë gjermani, Shtefan Kuntz, i cili në 5 vitet e fundit ka drejtuar shpresat e Gjermanisë, duke arritur tri herë në finalet e Europianit, duke e fituar madje atë në dy raste, edhe atë në vitet 2017-të dhe 2021.

Objektivi i Kuntz do të jetë rikthimi i Turqisë në shina në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2022 që do të mbahet në Katar, teksa pas një starti mbresëlënës me dy fitore, 4:2 ndaj Holandës dhe 0:3 përballë Norvegjisë, ka rrëshqitur në vendin e tretë në Grupin G, kjo për shkak barazimeve të papritura në shtëpi me Malin e Zi dhe Letoninë.

Drejtori i Përgjithshëm i përfaqësueses së Turqisë, Hamit Altıntop, shpjegoi se Kuntz kishte qenë kandidati kryesor që në fillim, ndërsa ish-trajneri i Gjermanisë, Jurgen Klinsmann, dhe ukrainasi Andrij Shevçenko u përmendën gjithashtu si kandidatë të mundshëm.

Turqia nuk është kualifikuar në finalet e Botërorit që nga ajo paraqitje mbresëlënëse (vendi i tretë) në Korenë e Jugut dhe Japoni në vitin 2002.

Ndeshja e parë e Kuntz në krye të Turqisë do të jetë kundër Norvegjisë më 8 tetor, ndërsa tri ditë më vonë e pret transferta me Letoninë.

Leave a Reply