Bajerni dhe Juve sigurojnë 1/8 e finales, ringjallet Barcelona, Ronaldo hero i Junajtedit (VIDEO)

Bajerni i Munihut dhe Juventusi janë dy skuadrat që kanë siguruar kualifikimin për 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve që sonte, njofton “infOSport.mk”.

Dy skuadrat e njohura europiane regjistruan fitoret më të thella në ndeshjet e mbrëmjes së sotme, me “bavarezët” që i mundësuan Barcelonës të rikthehet në jetë pas atyre dy disfatave të njëpasnjëshme në dy xhirot e para.

“Katalunasit” falë golit të Ansu Fati në minutën e 70-të mundën edhe njëherë tjetër minimalisht 1:0 Dinamo Kievin, duke u renditur për herë të parë në vendin e dytë të grupit “E”.

Ndërkohë Bajerni i Munihut me 12 pikë maksimale qëndron në pozitën e parë, kjo falë edhe fitores së madhe 5:2 përballë Benfikës në “Allianc Arena”.

Juventusi në Torino mundi Zenitin me shifrat 4:2, duke arritur kështu maksimumin e pikëve dhe kualifikimin për më tej nga grupi “H”, aty ku më herët fitore minimale kishte shënuar edhe Çelzi përballë Malmos në Suedi.

Atalanta me Gjimshitin e inkuadruar në fillimin e pjesës së dytë ishte shumë afër fitores përballë Mançester Junajtedit, skuadër kjo që sikurse në ndeshjen e parë në “Olld Traford” me shumë fat i shpëtoi disfatës, këtë herë duke barazuar rezultatin në 2:2 vetëm në minutat shtesë të takimit.

Ishte Kristiano Ronaldo njeriu fatlum që shënoi këtë gol, njëjtë sikurse edhe në pjesën e parë, ndërsa për Atalantan realizuan Iliçiç në pjesën e parë dhe Zapata në të dytën.

Pas këtij barazimi “Djajtë e Kuq” kryesojnë renditjen me 7 pikë, po aq sa ka edhe Viljareali i vendit të dytë, që sonte në “El Madrigal” mundi Jang Bojsin me shifrat 2:0.

Sevilja ka dëshpëruar tifozët e saj në “Ramon Sançez Pizhuan”, aty ku u dorëzua përballë francezëve të Lille, që nga Spanja u larguan me fitoren 2:1.

Me këtë fitores Lille rikthehet në garë për pozitën e dytë në grupin “G”, aty ku kryeson Salzburgu me 7 pikë, pavarësisht disfatës gjatë ditës më herët nga Volfsburgu në Gjermani me rezultatin 2:1. (infOSport.mk)

Leave a Reply