Derbi shqiptarë pa fitues, nuk fitojnë dot as Renova dhe Struga Trim Lum

Derbi mes skuadrave shqiptare FC Shkupit dhe Shkëndijës në elitën e futbollit vendor i zhvilluar në stadiumin e Çairit, është mbyllur me rezultatin e barabartë, 1:1, njofton “infOSport.mk”.

Në një atmosferë të zjarrtë ku të pranishëm në shkallët e stadiumit ishin me mijëra tifozë, miqtë nga Tetova nuk i’a dolën dot të marrin 3 pikët e plota dhe për të rihapur garën në renditje, edhe pse ishin shumë afër për të bërë një gjë të tillë.

Pas pjesës së parë pa gola, që dhuroi vetëm nga një rast ideal nga të dyja palët, Sidrit Guri shënoi golin e parë të takimit, duke kaluar në epërsi Shkëndijën. Sulmuesi shkodran përfitoi nga super pasimi i Nafiut, për të zhbllokuar ndeshjen në minutën e 70-të.

Pas këtij goli, tifozët vendas u acaruan, me sfidën që u ndërpre për pak çaste, njëjtë sikurse edhe gjatë pjesës së parë, kur shkas u bënë falakdanet e ndezura nga grupi i tifozëve “Shvercerat”.

Vendasit pas këtij goli të pësuar u vërsulën në sulm, ndërsa shumë pranë golit ishte Vladica Brdarevski, i cili në tentativë për të harkuar në zonën kundërshtare, qëlloi traverzën.

Do duhej një perlë nga goditja e dënimit për barazimin e rezultatit, me Alvarez që vendosi ekuilibrat në minutën e 88-të.

Edhe pesë minutat shtesë nuk do ndryshonin gjë, me FC Shkupin që mban kreun me 39 pikë, 7 më shumë se Akademia Pandev e vendit të dytë, derisa Shkëndija me 31 pikë renditet në pozitën e tretë.

Me barazim 1:1 u mbyll edhe sfida në Tetovë midis Renovës dhe Tikveshit, derisa Struga Trim Lum u mund në Shkup nga Skopje me rezultatin minimal 1:0. Struganët i ndëshkoi ish sulmuesi i tyre, Hristijan Kirovski, me një gol të realizuar në minutën e 78-të.

Pelisteri mbetet skuadra e vetme pa fitore këtë edicion, pasi sot u mund edhe nga skuadra e parafundit në renditje, Boreci.

Makedonija GJ.P me Muharem Bajramin definitivisht po frymon më ndryshe, ndërsa këtë më së miri e përjatuan futbollistët e Akademia Pandev që sot u mundën me shifrat 4:1.

Fitore mjaft të rëndësishme sot regjistroi edhe Rabotniçki, që mundi Bregallnicën në terrenin e zjarrtë në Shtip me shifrat 2:1. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 17

FC Shkupi 1:1 Shkëndija
Renova 1:1 Tikveshi
Skopje 1:0 Struga Trim Lum
Bregallnica 1:2 Rabotniçki
Makedonija GJ.P 4:1 Ak.Pandev
Pelisteri 1:3 Boreci

Leave a Reply