Sallah: Ja nga çfarë varet rinovimi i kontratës me Liverpullin

Mohamed Sallah ka folur rreth të ardhmes së tij te Liverpulli dhe mbi mundësinë e vazhdimit të kontratës me skuadrën nga “Enfilld Roud”.

Ai ka pranuar se kërkesat e tij për kontratën e re nuk janë të mëdha, ashtu siç është raportuar nëpër media dhe se gjithçka sa i përket kësaj çështje, ai ka thënë, se është në duart e drejtuesve të skuadrës.

Sallah ka qenë një figurë kyçe për Liverpullin që nga transferimi i tij për 37 milion sterlina nga rradhët e Romës në vitin 2017, duke shënuar 148 gola në 229 ndeshje.

Paraqitjet e nivelit të lartë të egjiptianit i kanë ndihmuar “Redsat” të fitojnë Ligën e Kampionëve dhe Premierligën nën drejtimin e gjermanit, Jurgen Klopp, por spekulimet për të ardhmen e tij janë ndezur derisa ai po hyn në 18 muajt e fundit të kontratës së tij aktuale me Liverpullin.

Sallah ka pohuar gjithmonë se do të dëshironte të qëndronte ende në “Enfilld Roud”, pavarësisht lidhjeve të forta me gjigantët spanjollë, Real Madridin dhe Barcelonën.

Sallah mendon se meriton një shenjë besimi nga klubi për shkak të kontributit të tij të jashtëzakonshëm gjatë pesë sezoneve të fundit.

“Unë dua të qëndroj, por nuk është në duart e mia. Është në duart e tyre. Ata e dinë se çfarë dua. Unë nuk po kërkoj gjëra të çmendura”, tha Sallah për “GQ Magazine”.

“Unë jam këtu për vitin tim të pestë tani. E njoh shumë mirë klubin. I dua fansat. Tifozët më duan. Drejtuesit e din qëndrimin tim dhe është në duart e tyre gjithçka” – ka thënë Sallah.

Egjiptiani sezonin e kaluar me petkun e Liverpullit shënoi 31 gola, por ka qenë edhe më produktiv në gjysmën e parë të sezonit 2021-22, ku skuadra e Klopp sërish po lufton në shumë fronte për të fituar trofe.

Leave a Reply