Bojku: Luajmë ndaj skuadrës më në formë, por besojmë te suksesi

Struga Trim Lum nesër në kuadër të javës së 24-të në elitën e futbollit vendor, si vendas do të mirëpret liderin aktual, FC Shkupin dhe njëherit një ndër skuadrat më në formë. Me këtë pajtohet edhe mesfushori strugan, Besmir Bojku, i cili në të kaluarën kishte pasur mundësinë që të veshë edhe fanellën e skuadrës nga Çairi, shkruan “infOSport.mk”.

Nisur edhe nga ky fakt, Bojku ka shumë respekt për ekipin “bardhekaltër”, mirëpo një gjë të tillë nuk do të ketë edhe në fushën e blertë, aty ku me ekipin e tij do të kërkoj të bëjë më të mirë dhe në fund ti gëzojë tifozët strugan me një fitore.

 “Sigurisht do jetë një ndeshje e vështirë, presim një ndeshje të fortë me një ndër skuadrat më në formë në kampionat. Gjatë këtyre ditëve të kaluara i kemi analizuar pikat e tyre të forta dhe shpresojmë se do ti ndalim me sukses dhe se në fund do të dalim fitues të takimit” – është shprehur për faqen zyrtare të Struga Trim Lum, mesfushori Besmir Bojku.

Kujtojmë në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Strugë, skuadra e Struga Trim Lum kishte dalë fituese me shifrat 4:2, e ku në qendër të vëmendjes kishte qenë mesfshori serb, Nemanja Bosançiç, që kishte realizuar “tripletë”.

Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe FC Shkupit zhvillohet nesër (e premte), me fillim në ora 15:00, dhe e njëjta i është besuar arbitrit me stemën e FIFA-s dhe UEFA-s, Aleksandar Stavrev. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply